Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një takimi me punonjësit e Bashkisë së Tiranës se opozita, të cilën e përshkruan si “kënetë”, kur sheh ndërtime dhe kulla “mendojnë para, kur shohin rrugë mendojnë vjedhje, kur shohin parqe mendojnë korrupsion dhe kur shohin të bukurën ndjejnë urrejtje”.
Rama mori si shembull ndërtimet që u prishën në Lanë kur ishte kryebashkiak, ku theksoi se i detyroi ndërtuesit të paguanin për prishjen dhe pastrimin e qytetit, sepse përndryshe nuk do merrnin leje.
Këtu ironizoi edhe hetimet intensive që sipas tij po kryhen, duke u shprehur se është gati të dorëzohet sepse këtë e ka bërë disa herë.
Ato ndërtimet që u prishën në Lanë, e dini ju si janë prishur dhe si është pastruar një sasi rrënojash që kapi volumin 138 mijë tonë beton? Janë prishur me korrupsion. Kam bërë unë korrupsion. I kam thirrur ndërtuesit në zyrë, këtu dhe u kam thënë ore keni dhënë ndonjë lekë për lejet e ndërtimit? Ata shikonin se thoshin si është puna. Ore përgjigjuni, keni dhënë lekë për lejet e ndërtimit? Më dini budalla, u thashë, që merrni leje dhe s’jepni asgjë?! Atëherë, i thashë, ka ardhur tani koha që t’i paguani rryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ua ndava segmentin e Lanës me copa, u thashë merrni buldozerët tuaj, merrni punëtorët tuaj, merrni naftën tuaj, shkoni, prisheni dhe pastrojeni, sepse përndryshe nuk merrni më leje ndërtimi. Dhe në vijën logjike të një sërë hetimeve intensive, jam gati të dorëzohem para drejtësisë. E kam bërë këtë dhe nuk e kam bërë një herë, e kam bërë shumë herë. Por ata që dje në çdo pallat të ri shikonin përqindje për leje ndërtimi dhe kur unë u thashë nuk ka bir k*rve dhe nuk ka bir nëne që të dalë dhe të më thotë që më ka dhënë mua lekë, më nxorrën dhe një burrë që më ka kërkuar falje nja 34 herë deri tani, edhe e kam falur 38 herë, por ai vazhdon kërkon falje. Edhe kur shohin kulla të njëjtën gjë mendojnë, vetëm sa përqindje merret nga këto lejet e ndërtimit”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se me taksën e ndërtimit të futur në fuqi që nga viti 2016 të ardhurat u shumëfishuan me qindra në vitin 2024.
Me taksën e gërhitjes dhe ‘ekspertëve të shkëlqyer’, bashkia mblidhte 930 mijë euro në vit. Pjesën e pjesës e dinë ata, unë nuk e di. Unë di pjesën që merrte bashkia. Kur me propozim të Erionit taksa u rrit në 2016 filloi që në 2016, 10 fish, jo 900 mijë, 9 mln euro. Në 2024 janë mbledhur 157 fish, d.m.th 146 mln euro vetëm nga taksa e ndërtimit. Atyre që thonë s’duam kulla, s’duam beton, s’duam pallate, u them, po rrugë, doni? Po blloqe të reja doni? Po kopshte doni? Po shkolla doni? Po autobusë doni? Po kartë studenti doni? Me çfarë bëhen këto? Duke rritur bar në sheshin “Skënderbej”? Nga e kemi nisur, nga ai ferr, nga ajo çmenduri që e quanin dhe qytet”, tha Rama.