Tirana, qyteti i investimeve madhështore, kantiereve pafund dhe projekteve të pashembullta, më në fund ka fatin të dëshmojë një ngjarje historike. Kryetari i bashkisë, i dashuri, i palodhuri, i përkushtuari Erjon Veliaj më në fund është shpërblyer me atë që i takon: një vend të rehatshëm në qelitë e sistemit tonë të përparuar penitenciar!
Dhe siç e do zakoni, një burrë nuk shkon kurrë vetëm! Bashkëshortja e tij, e respektuara dhe e ndershmja Ajola Xoxa është caktuar në një vend më të butë “arrest shtëpie”, që, për fat, mund të kujdeset për pasuritë e fituara me aq mund e djersë apo edhe dëshmitarët! Se mos kujtoni se vilat në Qerret, transaksionet e fshehta dhe kompanitë OJF të ngritura me përkushtim humanitar u krijuan vetë! Jo, pas tyre qëndron një vizion i qartë zhvillimi, ku fondet publike kanalizohen me aq delikatesë drejt llogarive të duhur.
Gjykata, e njohur për shpejtësinë e saj marramendëse, vendosi për masat e sigurisë vetëm 17 ditë pas kërkesës së Prokurorisë. Një rekord i ri i drejtësisë sonë, që gjithmonë e ka pasur për zemër të mos shqetësojë njerëz të nderuar si Erion Veliaj pa qenë 100% e sigurt që miliona eurot e qarkulluara nëpër kompani fantazmë, vila luksoze dhe shpenzime në perla e rroba firmato përbëjnë një “keqkuptim të vogël”!
Dhe për skeptikët që ende dyshojnë në pasurinë modeste të kryebashkiakut tonë, le të hedhim një sy mbi disa detaje të parëndësishme: mbi 870 mijë euro të shpenzuara në blerje online (se kur punon me kaq përkushtim për qytetin, qartësisht nuk ke kohë për të shkuar vetë në dyqan!), mbi 890 mijë euro të sekuestruara në bankë, ndërkohë të fahehura në kasafortë mbi 95 mijë euro, 15 mijë dollarë dhe mbi 600 mijë lekë të gjetura, thjesht një kursim i vogël për ditë të vështira! Një “Vilë” të dhuruar në resortin turistik në Qerret me sipërfaqe mbi 500 m2, e të gjitha të siguruara nga “shitja e fiqve” kuptohet!
Dhe çfarë bëri kryebashkiaku ynë për t’i bindur skeptikët se gjithçka është një inskenim dashakeqës? Thjesht vazhdoi të qeshte! Ashtu siç ka bërë për vite me radhë, duke u tallur hapur me ata që mendonin se drejtësia në këtë vend ekziston. Por ja që ndodhi e papritura, SPAK-u vendosi të bëjë punën për të cilën paguhet!
Ndërkohë, Tirana vazhdon të mbetet në ethe: kush do ta marrë tani në dorë fatin e lejeve të ndërtimit? Kush do të kujdeset për ndarjen e fondeve publike me përpikëri kirurgjikale? Mos vallë një sistem ku tenderat fitohen me meritë dhe jo me telefonata do të jetë realiteti i ri? Jo, jo, mos u shqetësoni! Njerëzit e Erion Veliaj janë ende aty, gati të ruajnë trashëgiminë e tij të vyer!
Sa për qytetarët, ata mund të vazhdojnë të shijojnë një tjetër shfaqje të drejtësisë shqiptare, ku politikanët me miliona euro në llogari përfundojnë me një proces gjyqësor që do zgjasë me vite, vetëm për të konkluduar se, në fund të fundit, gjithçka ishte një keqkuptim burokratik. Dhe mos harroni: në këtë vend, të vetmit që ndëshkohen shpejt janë ata që harrojnë të paguajnë një faturë dritash!/ Flamur Vezaj