Kur shpërndanë informacionin se Ajola Xoxa ka shpenzuar mbi 860 mijë euro për veshje dhe aksesorë të shtrenjtë, dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë qenë të ndërgjegjshëm se po hidhnin një bombë shkatërruese për imazhin e Erjon Veliajt dhe bashkëshortes së tij. Shifra e çmendur e blerjeve online është provë për luksin e pamohueshëm, ku qenë zhytur njerëzit që supozohet se i administrojnë me kursim taksat e qytetarëve Tiranës. Irritimi i opinionit publik, që në nisje të procesit, është një avantazh për prokurorët në sallën e gjyqit.
Ajola Xoxa vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, ose rreth 880 mijë euro, shkruhej në njoftimin e SPAK, që ashtu siç pritej kapi menjëherë titujt kryesorë në media.
Prandaj Erjon Veliaj e denoncoi menjëherë, si të pavërtetë përdorimin e 860 mijë euro blerje të Ajola Xoxës. Kryebashkiaku tha se shpenzimet ishin për eventet kulturore që menaxhonte e shoqja, jo për qejfet e saj personale.
“Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal” u shpreh Veliaj që solli si argument faktin se Olsi Dado nuk ka gjetur asnjë nga veshjet në shtëpinë e tij. Edhe Edi Rama e mbështeti alibinë e Erjon Veliajt, pavarësisht se e shoqëroi me një arsyetim qesharak, që më vonë e justifikoi duke thënë se nuk e ka lexuar dosjen. “Të thuash 800 mijë euro blerje online për bizhu dhe fustan ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan e nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi” u shpreh Rama.
Por si qëndron e vërteta? Çfarë veshjesh ka blerë Ajola Xoxa për të arritur shumën marramendëse prej 860 mijë euro? A janë porositë në internet, materiale për evente kulturore apo ato janë thjesht kapriçiot e gruas së një politikani, që e ka humbur sensin me realitetin që e rrethon?
Siç e ka sqaruar SPAK, blerjet herë i gjen në emrin Ajola Xoxa, herë në emrin e nënës së saj, Valbona Xoxa. Herë porositë kanë si destinacion zyrat e kompanive tek Sky Tower, herë shtëpinë në Kodrën e Diellit. Herë blerjet bëhen në paund, herë tjetër në euro apo dollarë.
Porositë janë në marka të njohura, ku bien në sy Michale Kors, Victoria Beckham, Prada, Karl Lagerfeld, Dolce Gabbana, Viviene Westwood etj. Në to porositen fustane, vathë, çanta, veshje intime, këpucë etj. Çmimet variojnë herë disa dhjetëra paund për një artikull, (blerjet porositen kryesisht në Britaninë e Madhe në kompaninë online Net-a-Porter), herë në disa qindra paund, herë në disa mijëra paund për artikuj të veçantë.
Vetëm në vitin 2014 janë 39 fatura blerjesh, secila me disa artikuj të ndryshëm. Në vitin 2015 janë 30 fatura të ndryshme, secila me disa artikuj. Ndërsa nga janari deri në muajin qershor të vitit 2016 janë 11 fatura të ndryshme. Më konkretisht, fatura e parë për vitin 2014, e marrë si provë nga prokuroria është si më poshtë.

Artikulli i parë është një fund me vlerë 218 paund nga Mother of Pearl Bella.
Artikulli i dytë është një fustan me çmim 104 paund nga Temperley.
Artikulli i tretë është një fund nga Roland Mouret, që kushton 126 paund.
Artikulli i katërt është veshja e sipërme e fundit, edhe ajo një Roland Mouret, që kushton 210 paund.
Shuma totale e faturës është 679 paund.
Sipas dokumentave të prokurorisë, fatura të tilla përsëriten njëra pas tjetrës gati çdo javë ose çdo dy javë.
Për shembull, fatura më poshtë, tregon një porosi të bërë më 24 shkurt të vitit 2014 dhe të porositur nën emrin Valbona Xoxa, që është nëna e Ajola Xoxës.

Porosia e parë është një bikini gome nga firma Mikoh Byron Bay me vlerë 229 paund.
Porosia e dytë është një veshje intime, korse nga kompania Agent Provocateur me vlerë 341 paund, siç mund t’i shihni më poshtë të ekspozuara nga kompanitë në fjalë nëpërmjet modeleve të tyre:


Ilustrimet e mësipërme janë marrë nga faqet e internetit që punojnë shitjet online dhe tregojnë produktet e markave të veshjeve që janë në fatura, bashkë me përshkrimin përkatës.
Më poshtë është një nga faturat e vitit 2015, më saktë është porosia e parë që Ajola Xoxa ka bërë për vitin 2015 dhe mban datën 7 Janar.

Siç shihet, në dokumentin më lart, veshjet variojnë nga fustane tek Viktoria Beckham që kushton 763 paund, e deri tek aksesorë nga linja e Viviene westwood, funde të tjera më të lira, disa dhjetëra paund etj.

Nga një kërkim në internet, del se fustani i vlerë nga Ajola Xoxa për 763 paund është i modelit që duket në foton më lart. Fustani është i markës Victoria Beckham.

Më lart është një nga faturat e administruara në dosje, ku duket se janë blerë tre fustane, njëri 525 dollarë, njëri 1850 dollarë dhe tjetri 1030 dollarë. Shuma e plotë për të tre fustanet është 3460 dollarë pa vlerën që duhet paguar në doganë. Në foton më poshtë janë një palë këpucë të markës Christian Louboutin, të paguara për 398 paund pa llogaritur vlerën e doganës.

Ky model këpucës nga kompania Christian Louboutin është vetëm një nga artikujt e porosisë së datës 15 shkurt 2016, që rezulton në emër të Valbona Xoxës, por që në fakt është porositur nga e bija, Ajola Xoxa.
Vlera e plotë e porosisë është më shumë se 1500 paund. Në foton më poshtë janë një palë këpucë me lëkurë gjarpri, sërish nga Christian Louboutin. Sipas faturës së datës 15 shkurt, Ajola Xoxa i ka paguar për 619 paund, një model të ngjashëm si më poshtë.

Më poshtë është një çantë e markës Givenchy, modeli Pandora Box. Çantë e zezë e vogël, që Ajola Xoxa e ka blerë për 837 paund pa llogaritur vlerën e doganës.

Një nga porositë, siç duket në faturën më poshtë është vetëm për veshje intime, që lë të kuptohet se është një blerje krejtësisht personale e bërë në datën 22 janar të vitit 2015.
