Në vitet e fundit, roli i detektivit privat në Shqipëri është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, veçanërisht për bizneset që duan të mbrojnë interesat e tyre.
Nga investigimi i rasteve të keqmenaxhimit dhe mashtrimit deri te monitorimi i besueshmërisë së ortakëve dhe punonjësve, kërkesa për këto shërbime është në rritje. Por si funksionon realisht puna e një detektivi privat?
Cilat janë sfidat me të cilat përballet? Dhe sa e zhvilluar është kjo industri në Shqipëri? Shkënda Lili, një detektive private me përvojë në treg, na ndihmon të kuptojmë më shumë mbi këtë çështje…
Si ka ndryshuar roli i detektivit privat në Shqipëri në vitet e fundit?
Roli i detektivit privat ka avancuar ndjeshëm vitet e fundit. Në një kohë kur bizneset dhe individët përballen me sfida më komplekse, kërkesa për detektivë privatë është rritur.
Çdo ditë e më shumë, njerëzit kërkojnë shërbimet tona për të zbuluar dhe për të verifikuar informacione të rëndësishme, qoftë për dyshime të thjeshta apo për raste më të ndërlikuara që lidhen me mashtrime financiare, besueshmërinë e partnerëve të biznesit apo edhe çështje personale.
A ka një rritje në tendencën e kompanive për të punësuar detektivë për të monitoruar punonjësit?
Po, sidomos në kompanitë e mëdha që operojnë me ortakëri.
Këto biznese duan të kenë një pasqyrë të qartë mbi ortakët e tyre dhe mbi mënyrën se si ata veprojnë brenda dhe jashtë kompanisë.
Përveç kësaj, ka edhe një interes të madh për të monitoruar nëpunësit dhe drejtuesit e niveleve të ndryshme, për të kuptuar nëse janë besnikë ndaj kompanisë apo nëse mund të jenë duke vepruar kundër interesave të saj.
Cilët janë arsyet kryesore që kompanitë vendosin të marrin detektivë? (Mungesat, dyshime për keqmenaxhim, spiunazh industrial, etj.)
Arsyet janë të shumta, por kryesoret lidhen me besueshmërinë e punonjësve dhe menaxhimin e informacionit të ndjeshëm. Kompanitë duan të jenë të sigurta që punonjësit e tyre nuk po nxjerrin sekrete të brendshme apo informacione konfidenciale te palët e treta.
Ka raste kur dyshohet për keqmenaxhim, mashtrime financiare apo edhe për spiunazh industrial, ku një punonjës mund të ndajë informacione me konkurrentët.
Si e balanconi punën tuaj me privatësinë e individit dhe kufijtë ligjorë?
Konfidencialiteti mes klientit dhe zyrës sonë është përparësi absolute. Ne veprojmë gjithmonë brenda kufijve të ligjit dhe sigurohemi që çdo investigim të kryhet me standardet më të larta etike dhe profesionale.
Çdo informacion i marrë trajtohet me kujdes maksimal dhe ndahet vetëm me klientin që ka kërkuar shërbimin tonë.
A janë të informuar punonjësit për mundësinë e monitorimit nga kompanitë?
Jo, absolutisht jo. Kur kryejmë një investigim, asnjë person tjetër përveç klientit që na ka kontraktuar nuk është në dijeni të punës që ne bëjmë.
Gjithçka kryhet në fshehtësi të plotë dhe në mënyrë profesionale, pa shkaktuar dyshime apo pa ekspozuar burimin e hetimit.
Mund të ndani një rast interesant kur një kompani ka përdorur shërbimet tuaja?
Kam pasur një rast me një kompani të madhe në Shqipëri, e cila kishte ortak italian. Italiani më kontraktoi për të kryer një investigim kundër drejtoreshës së kompanisë, pasi dyshonte se ajo ishte e lidhur me ortakun shqiptar.
Dyshimi i tij lidhej me tradhti ekonomike ndaj kompanisë dhe ai donte të dinte gjithçka rreth saj, përfshirë pasuritë e krijuara gjatë periudhës kur ajo ishte punësuar.
Ky investigim zgjati shumë në fakt, pasi na u desh të merrnim informacione nga disa institucione përkatëse për të arritur në një përfundim të saktë.
Madje, analizuan edhe lëvizjet e saj jashtë Shqipërisë (pushimet dhe çdo gjë tjetër).
Përveç faktit që ajo ishte e lidhur me ortakun shqiptar, rezultoi se të gjitha dyshimet e klientit ishin të vërteta.
Në fakt, ky nuk është rasti i vetëm, ka shumë raste të tilla në kompani të mëdha, dhe jo vetëm. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë bizneseve që kanë ortakëri të jenë të kujdesshëm dhe të sigurohen për çdo bashkëpunim që bëjnë.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni në punën tuaj?
E gjithë puna që kryejmë ka sfida dhe vështirësi të mëdha, asgjë nuk është aq e lehtë sa duket nga jashtë.
Detektivi privat është një profesion me përgjegjësi të lartë, që kërkon durim, vëmendje ndaj detajeve dhe aftësi për të analizuar situata komplekse.
Ka raste kur përballemi me mungesë informacioni, me njerëz që përpiqen të fshehin gjurmët e tyre ose me kufizime ligjore që duhet t’i respektojmë në çdo hap.
Përveç kësaj, jo çdo investigim përfundon me sukses të plotë, pasi ndonjëherë mund të mos arrihet rezultati i dëshiruar.
Megjithatë, edhe në raste të tilla, çdo hetim na ndihmon të përmirësojmë metodat tona dhe të jemi më të saktë në punën e ardhshme.