Nga e shtuna, të gjithë ata që do të kalojnë në aksin Thumanë-Kashar do të duhet të paguajnë 270 lekë.
Kalimi në këtë rrugë është programuar me pagesë, vlera e të cilës varet nga mjetet, por që nis nga një dysheme prej 2.1 euro pa TVSH dhe 2.52 euro me TVSH. Por kompania “Gener 2”, nuk zbaton kursin e këmbimit, duke abuzuar me çmimin.
Por për këtë vjedhje që po u bëhet shqiptarëve, Babloku e ka shpërblyer Bashkim Ulajn, duke i dhënë dy projekte të mëdha në harkun e 12 ditëve.
Projekti i parë është ai për ndërtimin e një TEC-i në Roskovec. Në mbledhjen e 18 dhjetorit, qeveria ka miratuar ndërtimin e termocentralit me kapacitet të instaluar prej 170 MW. Ky projekt do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a, e cila aksionere ka kompaninë greke “DEPA COMMERCIAL S.A”, 35%, kompaninë tjetër greke “GEK TERNA Holdings”, 35%, ndërkohë që “GENER 2” zotëron 30% të aksioneve. Por sipas zërave, në fakt kompanitë e tjera janë sa për sy e faqe, pasi fijet i lëviz Bashkim Ulaj, i cili ka dy vite që lobon për këtë projekt.
Pak ditë më parë banorët e fshatrave Suk-1, Suk-2, Arapaj, Strum, Velmish, Drenovicë, Samaticë, Rrëzë, Gorican, Kutalli etj., dolën në protestë, duke kërkuar bllokimin e projektit.
Babloku jo vetëm që nuk ka ndërmend ta bllokojë, por i bëri tjetër qokë oligarkut të preferuar të Sali Berishës (i ka dhënë zyrën Saliut).
Një ditë nga mbyllja e 2024, qeveria e Edi Ramës miratoi, kontratën koncesionare 44,6 milionë euro pa TVSH për projektimin dhe ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë, pjesë e korridorit blu.
Qeveria miratoi kontratën e koncesionit me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers”, dhe “I.D.K – Konstruksion”Koncesioni do të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 vjet nga hyrja në fuqi e saj. Gjurma e kësaj rruge fillon pranë nyjës së Milotit dhe përfundon pranë rrethrrotullimit të Thumanës. /Pamfleti