Në vitin 2009, institucione publike nën kontrollin e Sali Berishës, i cili në atë kohë ishte kryeministër, kanë kopsitur një dosje për veprimtarinë e dyshuar korruptive të Ilir Metës, sot në burg për korrupsion dhe pastrim parash.
Në 11 qershor 2009, tre javë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive informon Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave se Ilir Meta kishte bërë disa lëvizje të dyshimta me shitblerjet e pasurive, jashtë sistemit bankar.
Sipas raportit, Ilir Meta nuk kishte deklaruar 300 mijë euro cash nga shitja e vilës te biznesmeni S. M., vilë të cilën ia kishte blerë Ilir Trebickës për 60 mijë USD në vitin 2003. Më pas kjo vilë përfundoi në pronësi të analistit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
Dosja kontrollit nga ILDKPKI për vilën e Metës në Golem reflektohet në dosjen e SPAK-ut për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.
“Nga shqyrtimi i përmbajtjes së deklarimit të interesave private periodike/vjetore të subjekteve të deklarimit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për vitin 2007, vitin 2008, vitin 2009 nuk është deklaruar gjendja cash e shumës 300.000 Euro e përfituar nga shitja e vilës në Golem. Ky fakt është evidentuar edhe nga ILDKP-ja në kontrollin periodik që ka kryer ndaj subjektit Ilir Rexhep Metaj dhe konkretisht, me shkresën nr. 1818 Prot, datë 11 Qershor 2009, ILDKP-ja ka informuar Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, se: “Në deklaratën e interesave private periodike të vitit 2006, subjekti Ilir Meta ka pasqyruar shitjen e një ambjenti me sipërfaqe totale 327.6 m2, ndodhur në Golem, Kavajë, e blerë në shumë 60,000 USD në vitin 2002. Vlera e shitjes sipas kontratës më datë 13 Qershor 2006 e vërtetuar nga Notere Ruko Sako me nr. 6333 Rep, Nr. 1017 Kol, datë 13 Qershor 2006, është 300,000 Euro. Subjekti nuk ka deklaruar mënyrën e pagesës së kësaj shume (përmes bankave apo cash) dhe nuk ka deklaruar dhe ndodhjen e këtyre mjeteve (monetare)… Gjithashtu subjekti Ilir Meta në deklarimet e viteve 2007 dhe 2008 nuk ka deklaruar depozitimin e kësaj shume në ndonjë bankë. Sa më sipër …..duke qenë se subjekti Ilir Meta është person i ekspozuar politikisht ju paraqsim këtë raport me qëllim që nga ana juaj të ushtrohet vigjilencë e zgjeruar“.

ILDKPKI i kërkon Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave që të shtojë vigjilencën ndaj Ilir Metës. Si ILDKPKI, ashtu edhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, kontrolloheshin në atë kohë nga Sali Berisha.
Nga ana e tij, edhe Ilir Meta ka kërcënuar publikisht Sali Berishën me materiale shantazhuese, konkretisht me një video kompromentuese për Shkëlzen Berishën në mars të vitit 2015.
Në 5 mars 2015, Sali Berisha akuzonte Ilir Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve në atë kohë, Tom Doshin dhe Mhill Fufin. Berisha i kërkonte Metës të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi dhe të dorëzohej në Prokurori.
Berisha i lëshoi Metës në atë kohë grupin e PD-së dhe mediat.
I zënë ngushtë, Meta vendosi të kërcënonte Berishën me një video.
“Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty”, tha Meta.
Video me protagonist Shkëlzenin kishte rënë në duart e Spartak Brahos, në atë kohë shumë pranë Metës.
Video ishte zbuluar nga ekspertët gjatë kontrollit të lap-topit, ku ishte video Meta-Prifti.
Ndërsa Berisha nuk po tërhiqej, Meta e kërcënoi për herë të parë Berishën, se do të publikonte videon. “Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato…”, tha Meta.
Në mes hyri për t’i pajtuar Fahri Balliu. Nga ajo ditë Ilir Meta dhe Sali Berisha u bënë aleatë.
Po çfarë përmban videoja që nuk u publikua?
Prapaskena mëson se në video shfaqet Shkëlzen Berisha dhe Fahri Balliu në zyrën e Dritan Prifit, në vitin 2010, kohë kur Prifti ishte ministër i Energjitikës.
Prifti kishte blinduar zyrën me kamera të fshehta, pre e të cilave ra edhe vetë Meta.
Në video shfaqet Shkëlzeni dhe Fahri Balliu duke bërë pazare me Dritan Priftin, për ndarjen e pasurive publike.
Shkëlzeni, si gjithmonë shfaqej në rolin e sekserit, duke u mundësuar një rrethi biznesmenësh tendera, leje minerale, licenca, koncensione, gurore etj., në këmbim të shumave të mëdha eurosh.
Në video, e cila është parë nga një rreth i ngushtë, sigurisht edhe nga vetë Sali Berisha, Shkëlzeni shfaqet i ulur në krah të Fahri Balliut, përballë Dritan Priftit, duke bërë pazare.
Në çdo fjalë që thonë, konsumojnë vepra penale. Që të tre diskutojnë për tendera, miniera, uzina për skrap etj., që duhet t’i marrin biznesmentë të caktuar, klientë të Shkëlzenit.
Pesë vjet më vonë, Meta i thotë Berishës në Kuvend: “….ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!”.
Pavarësisht këtyre elementëve, drejtësia nuk mori kurrë në pyetje Ilir Metën për fshehjen e një krimi, por as Shkëlzenin.