Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha sa i takon ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku dy ditë më parë efektivi i policisë, Azbi Spahiu, u hodh nga lartësia. Hoxha lëshoi akuza në drejtim të partive të reja, por dhe mediave, për rastin.
Arlind Qori thotë se ministri s’ka dhënë asnjë sqarim nëse në këtë ngjarje përfshihet apo jo djali i biznesmenit Samir Mane. Kujtojmë se në rrjetet sociale është njoftuar një protestë nga Lëvizja Bashkë për rastin e policit Azbi Spahiu. Sot Hoxha e cilësoi ngjarjen “Manipulim për interesa politike dhe biznes mediatik”.
REAGIMI I QORIT
Ministri i Brendshëm, njëfarë Ervin Hoxha, në vend që të sqarojë opinionin publik për ngjarjen në kufijtë e tragjikes që ka ndodhur me punonjësin e policisë Azbi Spahiu, ka zgjedhur të sulmojë Lëvizjen BASHKË si thirrëse të protestës së të hënës në orën 17:00 përpara Ministrisë së Brendshme.
Ende sot, tre ditë pas ngjarjes, Policia e Shtetit nuk u ka dhënë përgjigje (lere më të dokumentuar) pyetjeve që Lëvizja BASHKË ka ngritur publikisht që të mërkurën mbrëma:
1. A është Martin Mane shkaktar i aksidentit në rrugën Xhorxh Bush, i raportuar më herët nga policia si shtetasi 28-vjeçar M. M.?
2. Ka qenë polici A. S. pjesë e grupit që ka ndaluar shtetasin M. M. pas këtij aksidenti?
3. Ka nisur hetim disiplinor Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaj policit A.S. në lidhje me këtë ndalim?
4. A ka dëshmi se polici A.S. është ndjerë në kërcënim apo presion për shkak të detyrës në lidhje me këtë ngjarje?
Gjithsesi, z. Hoxha, të cilit i ka pjellë mushka dhe është bërë ministër, na jep leje që të protestojmë sa të duam e kur të duam. Nuk e di i ngrati se të drejtën e protestës na e jep kushtetuta dhe ligji. Ne do të protestojmë që kjo ngjarje të zbardhet në çdo detaj dhe secili përgjegjës, pavarësisht se sa pushtet ekonomik, politik apo administrativ ka, të japë llogari përpara ligjit.