Gjykata e Korçës ka caktuar masën arrest me burg për 4 të arrestuarit e operacionit “Voskopi”, të cilët kishin kthyer një magazinë në ambiente për përpunimin e lëndës narkotike.
Masa arrest me burg u vendos për Gentian Guri, Andon Demirshan, Anesti Burda dhe Redion Hamitaj.
Për këta shtetas rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, ”Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Moskallëzim Krimi”.
Tre ditë më parë në një magazinë në pronësi të Andon Demirshan nga fshati Voskop u gjetën dhe u sekuestruan 195 kg lëndë narkotike Canabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, një sasi kokaine, 1 leje drejtimi false, 7 celularë, 1 automjet, 1 pasaportë, 3 karta SIM dhe një shumë eurosh.
Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim edhe një tjetër shtetas i identifikuar si Sadriano Duçi që sipas policisë dyshohet të jetë “koka” e grupit.
“Korçë/ Lihen në burg 4 të arrestuarit nga operacioni “Voskopi”, ku u zbulua magazina me 195 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit me burg për të arrestuarit, Gentian Guri, Andon Demirshan, Anesti Burda dhe Redion Hamitaj, kërkesë e cila u pranua nga gjykata në seancën e zhvilluar këtë të diel.
Magazina me drogë në fshatin Voskop ishte marrë me qira nga shtetasi Sadriano Duçi i shpallur në kërkim, i cili kishte futur sasinë e drogës që përpunohej nga tre gra të cilat po proçedohen në gjendje të lirë.
Vijojnë hetimet lidhur me ngjarjen pasi dyshohet se ka persona të tjerë të përfshirë”, njofton policia.