Gjykata e Posaçme ka miratuar masën e arrestit me burg ndaj biznesmenit Elman Abule, i cili është arrestuar nga policia pasditen e së hënës më 10 shkurt 2025.
Në kuadër të hetimeve ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e biznesmenit, pasi dyshohet për pastrim parash.
Mësohet se Abule është pyetur nga prokurorët si person në dijeni për çështjen në hetim ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Elman Abule, që rezulton lidhje miqësore e kryebashkiakut është pyetur, sipas burimeve, lidhur me udhëtimet që ka patur me të jashtë vendit, si dhe me punët që ka marrë në Bashkinë e Tiranës.
Më herët gjykata e Tiranës vendosi masën e sekuestros mbi pasuritë e tij pas dyshimeve të ngritura pronat. Dyshohet të jenë produkt pastrimi parash.
Prokuroria e Tiranës dyshon se Abule ka krijuar një skemë të qarkullimit dhe justifikimit të të ardhurave nga krimi.
Gjykata i sekuestroi kompanisë kryesore “Fidalba”, të zotëruar nga Abule, një projekt pallati në zhvillim, katër ndërtesa me sipërfaqe rreth 2,500 metra katrorë dhe dy parcela toke me sipërfaqe rreth 5,600 metra katrorë në Xhafzotaj të Durrësit.
Abules dhe bashkëshortes iu sekuestruan gjithashtu dy vila me sipërfaqe totale rreth 500 metra katrorë dhe dy parcela toke me sipërfaqe 550 metra të blera me një vlerë rreth 1.2 milionë euro.
Elman Abule, Kristian Boci dhe Vladimir Avrami
Troje, vila, apartamente, dyqane, makina, llogari bankare dhe asetet e disa kompanive u bllokuan më 28 qershor 2024, nga Gjykata e Tiranës nën dyshimin se vijnë nga aktiviteti kriminal.
Në qendër të këtyre dyshimeve janë vënë Elman Abule dhe Kristian Boçi. I pari njihet si sipërmarrës në fushën e skrapit, i dyti kryesisht për jetën luksoze që reklamon në rrjetet sociale dhe miqësitë me artistë, sportistë e politikanë.
Prokuroria e Tiranës dyshon se Abule ka krijuar një skemë të qarkullimit dhe justifikimit të të ardhurave nga krimi.
“Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të K.B [Kristian Boçit], apo V.A [Vladimir Avramit, babai i Arber Avramit, drejtorit të AlbGaz për rreth 6 vite], kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”, tha prokuroria në një njoftim të premten duke përmendur dhe Ender Boçin si pjesë të grupit.
Për ndërtimin e hidrocentraleve në vitin 2020 Abule ka dalë garant për marrjen e një kredie prej 1 milion eurosh nga një bankë e nivelit të dytë. Në kontratën e kredive Kristian Boçi paraqitet me dyshtetësi dhe identitet grek, Kristian Botsis, ndërsa në rrjetet sociale atij i drejtohen dhe me emrin Gusti.
Prokuroria theksoi se “huamarrja në shuma të mëdha nga bankat e nivelit të dytë” ka qenë një prej skemave që ka përdorur grupi për të justifikuar qarkullimet e parave. Sidoqoftë, prokuroria nuk e specifikoi këtë dyshim me raste konkrete.
Ndër veprimet e tjera të dyshimta, prokuroria përmendi kontrabandën, blerjen e hidrocentraleve me vlera të konsiderueshme “pa përligjur burimin e të ardhurave”, shitblerjen fiktive me vlera të mëdha të makinave, krijimin dhe drejtimin e kompanive pa aktivitet për të cilat “deklarohet rritje kapitali”.
Autoritetet dyshojnë se Abule përfshiu në skemë dhe bashkëshorten Marisa Nito. Ngjashëm dyshohen të kenë vepruar edhe Kristian e Ender Boçi.
Nisur nga këto dyshime gjykata vendosi të sekuestrojë asetet e 16 kompanive që lidhen me grupin dhe partnerët teksa u bllokoi edhe llogaritë bankare.
Konkretisht, gjykata i sekuestroi kompanisë kryesore “Fidalba”, të zotëruar nga Abule, një projekt pallati në zhvillim, katër ndërtesa me sipërfaqe rreth 2,500 metra katrorë dhe dy parcela toke me sipërfaqe rreth 5,600 metra katrorë në Xhafzotaj të Durrësit.
Abules dhe bashkëshortes iu sekuestruan gjithashtu dy vila me sipërfaqe totale rreth 500 metra katrorë dhe dy parcela toke me sipërfaqe 550 metra të blera me një vlerë rreth 1.2 milionë euro.
Boçit iu sekuestruan katër dyqane me sipërfaqe totale rreth 950 metra katrorë në Tiranë, një apartament rreth 200 metra katrorë, dy garazhe dhe një makinë Mercedez Benz e blerë 117 mijë euro në vitin 2014, për një total pasurie që kalon vlerën e 750,000 eurove.
Në korrik 2010, së bashku me Kristian Boçin, ai nisi kompaninë “Rametal” me kapital themeltar 200 mijë euro dhe aktivitet përpunimin e metaleve. Abule përfshihet si aksioner në këtë kompani me “Fidalbën”.
Pikërisht “Rametal” do të ishte një nga kompanitë e para që do të autorizohej nga qeveria e Partisë Demokratike për importin e “25 mijë tonë mbetje alumini”.
Prej vitit 2011 dyshja Abule-Boçi do të vijonte bashkëpunimet, madje dhe me persona të diskutueshëm për të shkuarën e tyre.
Në vitet 2014-2016, ata kanë qenë ortakë në “Rametal” me Denis Matoshin (i njohur si Eldi Dizdari), akuzuar si drejtues i një fraksioni të kartelit të ashtuquajtur “Kompania Bello”, përgjegjëse për trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Dizdari rezulton të ketë blerë aksionet e bashkëshortes së Abules për 10 mijë euro në vitin 2014, ndërsa ky i fundit ia ka riblerë për të njëjtën shumë dy vite më vonë.
Krahas Eldit, Abule-Boçi kanë pasur ortak edhe të vëllanë, Saimir Dizdarin, identifikuar fillimisht me pasaportë gjermane në kompanitë “Dizi” (2015) dhe “Ferro Chrome Holding” (2015-2017). Aksionet e tij ia bleu më pas Boçi për 109,000 lekë.
Periudha e bashkëpunimit me vëllezërit Dizdari përkon me manovrën e dublimit të kompanisë “Rametal”. Kompania që fitoi të drejtën e importit të “25 mijë tonëve mbetje alumini” ndryshoi emër në “Metale Albania”, ndërsa “Metalform”, themeluar në mars 2014, i mori emrin e “Rametal”-it.
Aktualisht, të dyja kanë zyrë qendrore një vendgrumbullim skrapi pranë autostradës “Durrës-Tiranë” në fshatin Vrinë. Aty kanë zyrat edhe 5 kompani të tjera të Abules, “Fidalba”, “Trital”, “Alfemet”, “Ferro Chrome Holding” dhe “Metal Form” – rikrijuar në vitin 2021.
Ndërkohë, sipërmarrja kryesore e Boçit rezulton kompania “MAK-08” e fokusuar kryesisht te ndërtimet. Por ai dhe Abule kanë bashkëpunuar dhe në kompani të tjera si “Chriss”, “Gloris Construction” apo “Europa Building”.