Partia Demokratike përmes zëdhënëses për antikorrupsionin, Genta Vangjeli ka denoncuar ish-ministren Frida Krifca dhe bashkëjetuesin e saj Erti Lutaj, se në shkelje të ligjit kanë përfituar tendera publikë nga Bashkia e Tiranës. Sipas PD-së, gjatë kohës që Krifca ka qenë në krye të Ministrisë së Bujqësisë por edhe të AZHBR-së, pasuria e saj familjare ka lulëzuar, duke blerë një tokë rreth 3 mijë metra katrorë në zonën e Farkës, për vetëm 30 mijë euro.
PD kërkon nga SPAK, që përveç abuzimit me fondet kur ishte në krye të AZHBR-së, ta hetojë Krifcën dhe për shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit dhe përfitimin e fondeve publike edhe gjatë kohës së ushtrimit të detyrës shtetërore si ministër i Bujqësisë.
DEKLARATË PËR SHTYP ZËDHËNËSJA ANTI-KORRUPSION NË PD, GENTA VANGJELI
Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ish-drejtoresha e AZHBR pas publikimit të skandalit me shpërdorimin e fondeve të BE, nën mbrojtjen e Edi Ramës nuk lihet jashtë rradhëve të administratës shtetërore dhe as nuk dorëzohet para drejtësisë.
Krifca dhe bashkëjetuesi kanë shtuar pasuritë e tyre gjatë kohës që karriera e znj. Krifca lulëzonte.
Kështu bashkëjetuesi deklaron pranë ILDKPI në 2020 tokë të shtuar arë 3 mijë m2 kundrejt vlerës 10 euro m2, ose total vlera 30 mijë euro, vendndodhja Farkë.
Fitim neto si subjekt tregtar 7.5 milion lekë ndërkohë që nga data e regjistrimit të këtij biznesi privat v.2019 deri tani nuk ekziston asnjë pasqyrë financiare e publikuar pranë QKB.
Biznesi tjetër aktiv i rregjistruar në vitin 2020 me pronar bashkëjetuesin e znj. Krifca, Lucom Projects shpk që ka të përfshirë në objektin e veprimtarisë edhe aktivitet tregtar të lidhur drejtpërdrejt me bujqësinë ndërkohë që bashkëjetuesja Krifca mbante detyrën zyrtare të Drejtorit të Përgjithshëm të AZHBR-së.
Lucom Projects shpk rezulton përfitues i fondeve publike konkretisht:
Sipas spending data, Bashkia Tiranë ka paguar këtë subjekt kundrejt vlerës totale 11 milion lek për vetëm 2 projekte kulturore “moving city Tirana 2022 dhe 2023”.
Përveç abuzimit me fondet e IPARD, SPAK të hetojë pasuritë e ish-ministres duke vlerësuar shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit dhe përfitimin e fondeve publike edhe gjatë kohës së ushtrimit të detyrës shtetërore si ministër i Bujqësisë.