Në fund të vitit të kaluar, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi me shpejtësi Unazën e Madhe, nga Shkoza deri te ish-Shqiponja. Natyrisht, hapja u trumbetua si sukses, megjithëse ndërtimi i vetëm 13 kilometrave rrugë zgjati plot 13 vite, teksa deri më tani janë shpenzuar mbi 400 milionë euro për të gjithë Unazën e Madhe.
Por, kur më në fund rruga u hap, çuditërisht drejtori i ri i ARRSH-së, Gentian Gjyli me “bekimin” e zv.kryeministres Belinda Balluku, ka bërë shtese kontrate, duke “shpërblyer” firmat ndërtuese.
Disa javë më parë u krye modifikimi i kontratës së lotit 1, duke i shtyrë afatin firmës “SALILLARI” dhe duke i hapur rrugën që të përfitojë shtesë fondesh. Ndërkohë, shtesë fondi prej 1.5 milionë mori edhe loti 4
Sipas dokumenteve rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën me objekt “ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”. Bëhet fjalë për një modifikim kontrate, teksa fondi që do t’i jepet firmës ndërtuese është plot 194 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro. Kjo shifër është në fakt 20 % e fondit limit, por jo e ofertës fituese të firmës fituese.
Në datën 6 tetor 2021, ARRSH shpalli fituesit e lotit 5, të cilët ishin firmat “G.P.G. COMPANY & SENKA”, me një objekt “ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”. Fondi limit i procedurës ishte 1.9 miliardë lekë, ose me kursin e sotëm rreth 20 milionë euro. Ofertën më të ulët e kishte firma “KEVIN CONSTRUKSION” me vlerë 1.5 miliardë, teksa fituesit ofruan 1.8 miliardë. Pra, një diferencë plot 3 milionë euro.
Në atë kohë shteti humbi 3 milionë dhe duke i shtuar vlerën e shtesës fondi shkon në plot 5 milionë. Dhe kjo vetëm për një lot, teksa me të njëjtën procedurë u veprua për të gjithë lotet e tjera.
Ndërkohë, disa jave më parë ARRSH hapi një procedurë, “ndërtim i unazës së jashtme Tiranë, Loti 4 (modifikim kontrate)”, me një fond limit 153 milionë lekë. Duket se, edhe pas më shumë se 10 vitesh dhe mbi 400 milionë eurove të investuara, po jepen të tjera para shtesë, pavarësisht se Balluku dhe Rama bën një ceremoni të hapjes së këtij aksi.
Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 28.7 kilometrash, disa mbikalime dhe tunele, disa prej të cilave janë hapur për qarkullimin e mjeteve në zonën e ish-rrethrotullimit të “Shqiponjës”. Në vitin 2021, ish-drejtori Evis Berberi firmosi fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas dokumenteve, fituesi i lotit 4 ishte një bashkim operatorësh “EUROTEOREMA PEQIN” & “PE-VLA-KU” dhe “NOVA Construction 2012” me një fond 2 miliardë lekë (20 milionë euro). Fituesi ofruan 1.991.017.847 lekë (20 milionë euro), ose shumë afër fondit limit, teksa në garë në atë kohë ka pasur oferta deri në 4 milionë euro më pak.
Në fund të 2024-ës, u krye edhe modifikimi i kontratës për lotin 1, që fitoi Salillari. Në dokumente shkruhet se objekti i procedurës së prokurimit ishte “modifikim i kontratës për zgjatjen e afatit ‘plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.
Njoftimi u bë mesditën e datës 31 dhjetor 2024, teksa njoftimi duket se i shërben më shumë firmës apo edhe vetë propagandës së qeverisë me Unazën e Madhe. Për këtë lot, Salillari fitoi tenderin e madh me vlerë 23 milionë euro.