Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka folur lidhur me vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Matajt në Shkodër.
Ai tha se nuk kemi të bëjmë me një vrasje të sofistikuar, por gjurmët që la pas autori ishin të dukshme. Karamuço u shpreh se viktima u nxor në pritë nga një profil falso në Instagram.
Eksperti tha se rrethanat e ngjarjes janë të dobëta, pasi vijnë për çështje të nderit, familjes dhe tentativës për të prishur marrëdhënie familjare të caktuar që kanë ngelur vetëm në komunikime virtuale.
“Sigurisht që çdo vrasje edhe për shkak të zonave dhe zakoneve mund të çojë në hakmarrje dhe në gjakmarrje, por këtu është shteti rregullator me zbulueshmërinë dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë, por edhe masat e nevojshme. Në rastin konkret nuk ishim përpara një vrasje të sofistikuar.
Ishte zgjedhur një zonë pa kamera, por u lanë shumë gjurmë si psh filmike në disa akse gjatë largimit, por edhe gjurmë teknologjike. Para dy muajsh kaloi pa vëmendje nga mediat takimi i Ministrit Ilir Prodës dhe të dërguarit rajonal për aplikacionet Meta që përfshijnë Facebook dhe Instagram dhe ka pasur një marrëveshje për hetimet ku përfshihen këto aplikacione në veprat penale të rënda.
Kjo është pjesë e një bashkëpunimi real dhe ishte dhe përgjigja e shpejtë nga Meta lidhur me atë faqe që u përdor për ta nxjerrë në pritë, ishte një profil falco në Instagram, brenda 24 orëve erdhi informacioni për policinë e shtetit me IP dhe se kush fshihet pas këtij profili fake, më tej i shoqëruar me pamje, shoqërimin e personave dhe gjetjen e armës se krimit e tipit Simonov.
Rrethanat janë të dobëta, vijnë për çështje të nderit, familjes dhe tentativës për të prishur marrëdhënie familjare të caktuar që kanë ngelur vetëm në komunikime virtuale. Për këtë nuk mund të vriten njerëz, nuk mund të kalosh në sigurimin e mjeteve dhe kushteve dhe në ekzekutimin e personit. Është e pafalshme dhe njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që arma nuk është mjeti i vetëm. Kemi pasur vrasje dhe vetëvrasje nga intimidimet dhe shantazhet virtuale, por ky ishte një rast shumë i shëmtuar që vijon në kuadër të rasteve të tjera që keqpërdorohet hapësira virtuale. Ka një aktivizim të të gjitha platformave pas deklarimit të kryeministrit për mbylljen e Tiktokut. Edhe ky rast ishte në valën e rasteve për të justifikuar përgjegjshmërinë e platformave, por kompania u vu në një lloj alarmi për të mos marrë penalitete siç mori Tiktok në Shqipëri”, tha Karamuço