Ligji i ri për Policinë e Shtetit u prezantua si një zgjidhje shumë e mirë për të larguar nga drejtimi “xhaketat e vjetra”, mbi të cilët ka pasur shumë akuza për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar dhe për të vendosur “njerëz të rinj”, të cilët do t’i ndryshojnë fytyrën dhe qasjen e uniformave blu.
Por ky proces i mirëpritur nga opinioni publik, në praktikë lë shumë për të dëshiruar. Së fundmi, Komisioni i Posaçëm i ngritur në Policinë e Shtetit për të vlerësuar kandidatët për postin e drejtorëve të qarqeve, ka publikuar listën me pikëzimin e secilit prej tyre.
Në 12 vëndet e para me pikët më të larta janë disa emra, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës janë bërë pjesë e akuzave të ndryshme, ushtrim të dhunës, moskryerjen e detyrave ligjore etj.
Konkretisht emrat që spikasin janë Erion Ahmeti, Fatmir Lleshaj dhe Gazmend Shehu.
Për ata që këto emra mund të jenë harruar, “Zahiri News” po risjellë në vëmendje se pak vite më parë, Erion Ahmeti ka qenë shefi i qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, i cili u shkarkua me urdhër të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, në vitin 2021.
Gjatë drejtimit të Rrugores nga Erion Ahmeti, Tirana u shndërrua në “parajsën” e betoniereve. Megjithëse kishte rregulla për qarkullimin e kufizuar të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë orëve të ditës në rrugët kryesore të kryeqytetit, makineritë e rënda të “oligarkëve” të ndërtimit lëviznin të pashqetësuara nga qendra e deri në periferi.
Fatmir Lleshaj, ish Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, prej një periudhe 1-vjeçare. Në vetëm pak muaj Drejtues i Policisë Berat, u përfshi në skandalin me laboratorin e drogës në Skrapar, ku prodhohej lëndë narkotike kanabis sativa. Ndaj Fatmir Lleshaj nisi procedimi disiplinor për këtë skandal, si rrjedhojë e moszbatimit të detyrave prej tij.
Gazmend Shehu, ish shefi i Komisariatit të Policisë së Sarandës, prej rreth 1 muaj, disa vite më përpara është pezulluar nga detyra, si rrjedhojë e ushtrimit të dhunës ndaj një qytetari në Tepelenë. Në një video të publikuar në atë kohë, duket qartë momenti kur Gazmend Shehu, shef i Komisariatit të Policisë së Sarandës është konfliktuar me një qytetar. Situata ka precipituar dhe Shehu e ka goditur disa herë me grushte qytetarin.
Tashmë, personazhet e mësipërme, me shumë dritë-hije në karrierën e tyre, renditen në listën e sigurt për drejtorë policie, duke cënuar të gjithë procesin, nga i cili u shpresua se do të përzgjidhej ‘elita e re” dhe jo-problematike e uniformave blu. /Zahiri News