Nga pamjet e arrestimit, duket se automjetin me të cilin po udhëtonte Meta e kanë rrethuar agjentët, e veshur me kapuça dhe të armatosur.
Meta u arrestua me urdhër të SPAK nga agjentët e BKH teksa po lëvizte me makinë në afërsi të “Casa Italia” në kryeqytet.
Kreu i PL kishte njoftuar në konferencë në 13:40.
Ai është vënë në pranga me urdhër të tre prokurorëve, Sotir Kllapi, Arben Kraja e Altin Dumani për hetimet e CEZ DIA, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Kujtojmë se Meta ka qenë disa herë në SPAK ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Ilir Meta ka lindur në vitin 1969. Ai ka mbajtur disa detyra të larta si kryeministër, në vitet 1999 deri në vitin 2002, më pas si kryetar i parlamentit nga viti 2013 deri në 2017-ën, si dhe si president i Shqipërisë, nga 2017 deri në 2022.
Meta ka mbajtur edhe poste të tjera të rëndësishme si, zv/kryeministër, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme si dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.
Në vitin 2004 ai themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim. Me një propozim të tij në vitin 2022, pasi la postin e presidentit, LSI-së iu ndryshua emri, logoja dhe simbolet e tjera duke u njohur si Partia e Lirisë, kryetar i së cilës u zgjodh sërish Ilir Meta.