SPAK ka kërkuar në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka për inceneratorin e Elbasanit.
Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.
Ish ministri është dënuar në shkallën e parë antikorrupsion me 6.8 vite burg me gjykim të shkurtuar.
Edhe për inceneratorin e Fierit ende nuk ka zhvillime në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke bërë që vendimi të mos marrë formë të prerë.
Në 5 tetor të 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit, përkatësisht me 5.8 ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për korrupsion e shpërdorim detyre. Atij iu konfiskuan një pjesë e aksioneve në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e korrupsionit të kryer, 3.7 milionë euro.
Biznesmeni Klodian Zoto, u dënua me 10 vite burg, duke përfituar zbritje në 6.8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertirin.
Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet. Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO dha 2 vjet burg.
Për anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por nga gjykim i shkurtuar i zbriti në 2.8 vjet burg. 1.4 vite u dënua ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit në burg.