Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duket se do të qëndrojë gjatë në ambientet e qelisë dhe beteja e tij me drejtësinë do të marrë shumë kohë.
Sot Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për një tjetër dosje pas asaj të Sterilizimit, pasi e dërgoi për gjykim mbi vjedhjen e fondeve të BE.
Sipas informacioneve, SPAK ka ngritur ndaj tij 5 akuza të rënda, teksa duhet theksuar se te Sterilizimi akuzohet për grup të strukturuar dhe vjedhje duke shpërdorur detyrën.
Lidhur me abuzimin e fondeve të “SASPAC”, ai akuzohet për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe fshehje pasurie. Pra në total deri më tani ka 6 akuza të rënda ndj tij, ku nëse shpallet fajtor, mund të rrijë gjatë në qeli.
Por telashet mund të shtohen rrugës. Sipas informacioneve zyrtare të siguruara nga SPAK, po vijojnë hetimet edhe për dy raste të tjera abuzimi. Një është për koncesionin e Check Up dhe një për koncesionin e laboratorëve. Për të dyja këto raste ka disa vite që hetohet dhe sipas informacioneve shumë shpejt pritet që të konkludohen hetimet.
Ilir Beqaj tentoi disa herë t’i shpëtonte drejtësisë. Te Sterilizimi ai u amnistua fillimisht nga SPAK, sepse u la pa akuzë. Më pas ishte gjykata që ktheu dosjen dhe kërkonte hetohej Beqaj. Ai pastaj u la në masë sigurie “detyrim paraqitje”. Po ashtu ishte gjykata që rëndoi akuzën ndaj tij, duke futur grupin e strukturuar kriminal.
Por teksa Beqaj, mendoi se do rrinte jashtë qelisë, u zbuluan vjedhje të shumta me fondet e BE. Po ashtu atij ju gjet një apartament i fshehur në Vlorë, teksa përdorte njerëz pranë tij për të përfituar miliona nga fondet e huaja. Duket se tani e pret një betejë e gjatë me drejtësinë.