Socialistët në Këshillin Bashkiak të Elbasanit miratuan në janar zgjerimin e territorit të tregut Agro-Ushqimor në pronësinë e babait të Suel Çelës – pavarësisht se ai është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK me akuzat e krijimit të një organizate kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Përpara portës së rëndë metalike të tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, rreth 3 kilometra larg qendrës së qytetit, vendin e tregtarëve e kanë zënë një grup djemsh vigjilentë rreth të 30-ave.
Ky reporter nuk kishte zbritur ende nga taksia, kur njëri prej tyre bëri shenjë për t’u afruar me një të lëvizur të dorës dhe kërkoi llogari pse gjendesha aty.
“Ik, nuk ke me kë flet,” tha ai kur mësoi se kishte të bënte me një gazetar. “Tregu është i mbyllur”.
E rrethuar me mure betoni dhe kangjella të larta, godina i ngjan një fortese të sigurisë së lartë më shumë sesa një tregu fruta-perimesh. Përtej portës së hekurit dallohen njerëz që hyjnë dhe dalin nga magazinat.
Dikush fishkëllen nga brenda dhe burri ndryshon qëndrim. Nga porta dalin dy djem të tjerë me xhupa të zinj dhe pasi prezantohen si roje, ripërsërin marrjen në pyetje. “Fol me pronarin”, thonë ata pasi humbin interesin dhe largohen.
Tregu Agro-Ushqimor është i vetmi i këtij lloji në Elbasan dhe zotërohet nga kompania “Çela P” me pronar Petrit Çelën – babai i Suel Çelës – i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një organizate kriminale që akuzohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, atentate, pastrim parash dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.
Përveç funksionit të tij zyrtar, tregu shërbeu sipas SPAK edhe si bazë e organizatës së dyshuar kriminale mes viteve 2020-2022; një vend i paprekshëm nga policia, ku bëheshin takime të fshehta dhe jepeshin urdhra okultë.
Megjithatë, reputacioni famëkeq dhe një hetim i hapur nga SPAK nuk e pengoi Bashkinë e Elbasanit që të miratojë më 24 janar zgjerimin e territorit përmes një lejeje të dytë për treg agro-ushqimor në favor të kompanisë së babait të Çelës.
Vendimi i Këshillit Bashkiak e përligj lejen me zhvillimin e sektorit bujqësor dhe stimulimin e “inovacionit dhe bashkëpunimit mes fermerëve”. Gledian Llatja e quajti miratimin e lejes “një procedurë standarde” dhe këmbënguli se nuk kishte kërkesa në ligj që e pengonin kompaninë e lidhur me një organizatë të dyshuar kriminale që të përfitonte lejen.
“Është bërë kërkesë nga një subjekt privat, për në pronë private për ndërtimin e një tregu publik dhe është miratuar nga Këshilli Bashkiak, meqë kërkon një leje nga Këshilli,” tha Llatja.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha se nuk komentonte veprimet e institucioneve të tjera si dhe çështjet nën hetim.
Elbasani në Shqipërinë e Mesme është bashkia e katërt më e madhe e vendit, por gjatë dekadës së fundit ka fituar reputacionin e një qyteti të kontrolluar nga krimi. Në tetor 2020, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi nga Elbasani se ishte e papranueshme që qyteti po kthehej në “një skenë lufte mes bandave të krimit të organizuar”.
Një pjesë e kësaj lufte i atribuohet organizatës së dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela, një 37-vjeçar i shpallur dy herë në kërkim gjatë dy viteve të fundit nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të krimit të organizuar.
Drejtues të opozitës e kanë akuzuar Suel Çelën se është përfshirë më herët në fushata elektorale dhe ka ndihmuar socialistët në sigurimin e votave në zgjedhje. Pas operacionit të SPAK në nëntor 2024, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se kishte emëruar motrën e dy anëtarëve të grupit të tij në një post të lartë publik.
Aktiviteti kriminal i Çelës e ka zanafillën gati dy dekada më parë në Itali. Ai u dënua për herë të parë në moshën 17 vjeçare nga Gjykata e Torinos në vitin 2005, pasi u kap me 510 gram kokainë. Çela u shpall sërish në kërkim në vitin 2007 nga Gjykata e Livornos për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike dhe u dënua në vitin 2013 me 4 vjet e 7 muaj burg si dhe 26 mijë euro gjobë.
Në Shqipëri, Suel Çela është skeduar nga policia që prej vitit 2013, por nuk është dënuar nga drejtësia.
Aktualisht ndaj Çelës ka të paktën dy urdhër arreste; i pari i lëshuar në maj 2022 pas hetimeve dhe dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe i dyti në nëntor 2024, i bazuar në komunikimet në SKY ECC mes tij dhe 20 anëtarëve të tjerë të dyshuar të organizatës, gjithashtu nën akuzë.
Sipas SPAK, Çela u fut në luftë me organizatën rivale të drejtuar nga i dënuari me burgim të përjetshëm Ardian Çapja, ndaj të cilit akuzohet se organizoi disa atentate, me qëllim që merrte kontrollin mbi qytetin e Elbasanit.
SPAK pretendon gjithashtu se i gjithë aktiviteti i Suel Çelës u financua nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt shteteve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. Organizata e tij akuzohet gjithashtu për korruptimin e dyshuar të zyrtarëve në Polici, në sistemin gjyqësor si dhe në media.
Kompania “Çela P” e Petrit Çelës u themelua në vitin 1996 me aktivitet tregtinë me pakicë dhe shumicë të mallrave ushqimorë, industrialë dhe bujqësorë. Ai e zgjeroi aktivitetin në vitet 2012-2013 me ndërtimin e tregut të vetëm Agro-Ushqimor të zonës, leja e së cilës u votua sipas Çelës me 99.99% të votave të Këshillit Bashkiak të kohës.
Por leja për të operuar tregun në kushtet e një monopoli nuk është benefiti i vetëm publik.
Kompania “Çela P” përfitoi gjithashtu nga fondet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, në vitin 2014, ndërsa në vitin 2024 mori të drejtën e shfrytëzimit të 7 hektarëve tokë pyjore mes Elbasanit dhe Peqinit për instalimin e paneleve diellore dhe paneleve eolike për prodhimin e energjisë.
Rama e vizitoi tregun Agro-Ushqimor të Çelës në korrik të vitit 2014, i shoqëruar nga ministri i kohës i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe drejtoresha e AZHBR, Suela Popa dhe e vlerësoi atë si një shembull që duhet shpërndarë “nga veriu në jug”.