Shërbimet e Policisë në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë kanë pikasur këto dy vende “Antwerp dhe Dubai,” si pikat kryesore ku operon kompania “Bello”, e cila prej vitesh ka mbushur Europën me kokainë nga Ekuadori.
Media belge “GVA”, i ka dedikuar një shkrim Denis Matoshi i njohur si Eldi Dizdari.
Paratë e drogës tashmë po investohen në botën e pasurive të paluajtshme në Dubai.
Denis Matoshi (Eldi Dizdari) jo vetëm që është i lidhur me trafikun ndërkontinental të drogës, por dyshohet se ka qënë i përfshirë në “masakrën e Bllokut”, ku nga përplasja e eksponentëve të krimit në atë ngjarje një person ndërroi jetë dhe disa të tjerë u plagosën.
Masakra e bllokut mësohet se ka të bëjë me një konflikt të ndodhur për pazaret e drogës, ndonëse në atë kohë u përfol se molla e sherrit ishte këngëtarja Elvana Gjata e dashura e Ervin Matës edhe ky një eksponent i fuqishëm i trafikut të drogës nga Amerika Latine.
Denis Matoshi është një nga krerët e krimit të organizuar shqiptar që është vendosur në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët po investojnë dhjetëra miliona euro në tregun lokal të pasurive të paluajtshme. Matoshi thuhet se është regjistruar zyrtarisht në Bluewaters Island Residences 2, në Dubai.
Ka diçka tjetër interesante në letrat e tij zyrtare, megjithëse i lindur në Bajram Curri në Shqipëri, Matoshi ka kombësi belge.
Ai është i martuar me Suada Sherifin, ish-Miss Shqipëria me të cilën ka një fëmijë.
Ajo ka 9 prona në Dubai në emrin e saj, me një vlerë totale të blerjes prej 17.8 milionë euro.
Belgo-Shqiptari Matoshi ndodhet aktualisht në paraburgim në Dubai, me kërkesë të organeve të drejtësisë belge. Belgjika kërkon ekstradimin e Matoshit për shkak se ai dyshohet se është i përfshirë në importin e kokainës nëpërmjet portit të Antwerp.
Përveç kësaj, Matoshi figuron edhe në dosjen e madhe të klanit asirian “Y.” nga Antwerp.
Matoshi po ndiqet penalisht për korrupsion dhe përdorim të dokumenteve false.
Thuhet se Matoshi kishte një pasaportë false dhe një kartë identiteti false, të cilën ia kishte bërë një nëpunës i korruptuar nga qyteti i Antwerp-it.
Këto kontakte lidheshin nëpërmjet një anëtari të familjes Y., i cili shpesh kishte dokumente false.
Në mjedisin kriminal të Antwerpenit, Denis Matoshi njihet me pseudonimin “Shqiptari i gjatë” ose “Alduth”.
Kompania Bello, është një kompani e cila përbëhet nga 14 banda shqiptare të përfshira në kontrabandën ndërkombëtare të drogës. Matoshi thuhet se kishte dërguar mijëra kilogramë kokainë në Antwerp dhe Roterdam.
Për të nxjerrë ato sasi të mëdha kokaine, Matoshi thuhet se ka bashkëpunuar me kriminelë të njohur droge të Antwerpenit si Bayram Y., i cili ishte zot dhe mjeshtër në kalatën 1700 në port.
Ky i fundit bashkëpunonte me kushëririn e tij, Marsin, i cili ishte planifikuesi kryesor i menaxherit nga terminalet e kontejnerëve të DPworld.
Por kur Marsit i bënë atentat duke e qëlluar me disa plumba në këmbë, perandoria e Bayramit u shemb.
Në këto kushte Eldi Dizdari kërkoi partnerë të rinj që mund t’i merrnin kokainën në port dhe kështu u lidh me grupin e ish-kikboksierit Omar Govers dhe Najim E.M.
Bashkë iu fshehën mirë radarit të Policisë derisa Omar Govers u dënua me 13 vjet burg për një rast trafiku droge për kompaninë Bello. Govers thuhet se që atëherë është tërhequr nga tregtia e kokainës. Ai ka hyrë në tregun e pasurive të paluajtshme në Dubai me firmën e tij “Novvi Properties”. Faqja e rrjeteve sociale Instagram përmban video të shumta që tregojnë menaxherin e kompanisë Govers duke marrë pjesë në ndërtimin e një ekipi dhe impianteve sportive.
Madje në kompaninë e tij, punonjësit me performancë të lartë të Novvi Properties i shpërblen me një Rolex.
Por jo vetëm autoritetet belge, por edhe policia italiane dhe ajo shqiptare janë shumë të interesuara për Denis Matoshin. Në vitin 2020, zyra e prokurorit të Firences nisi një ofensivë në shkallë të gjerë kundër kompanisë Bello duke shënjuar nisjen e operacionit “Blanco”.
Matoshi u arrestua në vitin 2020 nga Policia e Dubait me kërkesë të Italisë. Megjithatë Dubai nuk pranoi ta ekstradonte dhe e liroi Matoshin nga burgu.
“Në Itali, Matoshi u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, e po ashtu nuk është dënuar ende në Shqipëri. Ai ka një precedentë të pastër kriminal në të gjithë Evropën,”-thotë Sven Mary, avokat i Matoshit.
Çështjet penale italiane janë shpesh si rastet belge, ato zvarriten me vite. Por ajo që ndodhi me operacionin “Blanco” nuk është plotësisht e qartë.
Sërish sipas Sven Mary, avokatit të Denis Matoshit, belgo-shqiptari është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat në Itali.
“Madje nuk është dënuar as në Shqipëri. Denisi ka një dosje të pastër kriminale në të gjithë Europën,”-shton avokati.
Denis Matoshi së fundmi ka dalë tek autoritetet gjermane gjatë operacionit “Platinum”, gjatë një hetimi për kontrabandën e kokainës në një shkallë të gjerë nga Amerika e Jugut për në Europë.
Figura qendrore në hetim është një kalabrez që drejton një restorant në Gjermani, por që në realitet thuhet se po krijon marrëveshje të mëdha kokaine midis furnizuesve të Amerikës së Jugut dhe blerësve evropianë.
Sipas policisë gjermane, “Ndrangheta”, organizata e fuqishme kriminale me rrënjë në Kalabri, bashkëpunonte me belgo-shqiptarin Matoshi.
Shqiptarët e kompanisë Bello kishin fituar një pozicion të fortë në tregtinë ndërkombëtare të kokainës.
Shqiptarët dërgojnë njerëzit e tyre në Ekuador për të vendosur kontakte me furnizuesit kolumbianë dhe për të korruptuar njerëzit në portin e Guayaquil.
Dritan Rexhepi, një nga eksponentë më të rrezikshëm të trafikut ndërkontinental me lidhje të forta në Eukuador, sot është burgun e Fierit.
Në Antwerp, ai ishte pjesë e një bande hajdutësh që përdornin dhunën për të grabitur biznese.
Kur shkoi në Ekuador, ai arriti që të krijonte një marrëdhënie biznesi me një furnizues të madh kolumbian, i cili e furnizoi me tonelata kokainë.
Rexhepi e siguronte që kokaina të dërgohej në Antwerp dhe Roterdam, ndërsa Denis Matoshi siguronte që droga të shpërndahej në mënyrë të sigurt te klientët në Evropë.
Në një bisedë të dëgjuar mes Dritan Rexhepit dhe një të besuari të tij, ata diskutojnë për Matoshin, “Ai na ka hequr 4000 kg, e kemi numër 1!”
Në Antwerp, Matoshi është në kontakt edhe me një tjetër shqiptar, i cili gjithashtu do të luajë një rol të veçantë në botën e drogës në Antwerp: Ermir Ndreaj (44), alias Cinco.
Edhe Cinco vjen nga qyteti i Bajram Currit. Emri i Ndreajt figuron në disa hetime të mëdha kriminale për kontrabandën e kokainës, përfshirë hetimin për klanin Y. dhe Frank De Tank.
Ndreaj pseudonimin ia ka atribuuuar diskotekës së famshme “Cinco Cavalli” në Durrës, të cilën e ka në pronësi. Në Tiranë, ai dhe bashkëshortja e tij Elira drejtojnë restorantin elegant “Savoy Garden”.
Restoranti mund të jetë ekskluziv dhe i shtrenjtë, por kjo nuk do të thotë se gjërat shkojnë gjithmonë mirë.
Në verën e vitit 2024, disa persona u plagosën gjatë një feste VIP në Savoy Garden, e gjitha pasi 32-vjeçari Edison Elezaj filloi të qëllonte me armë zjarri. Personi që qëlloi me armë zjarri ishte djali i pronarit të Lajthizës, markës më të famshme të ujit të burimeve në Shqipëri.
Javën e kaluar, dosja ku bën pjesë Ermir Ndreaj u dërgua në Gjykatë pas përfundimit të hetimeve për trafik droge dhe pastrim parash, por Ndreaj nuk është i vetmi i akuzuar.
Bashkë me të përmendet dhe Sani Al Murdaa edhe ‘biznesmeni’ i Antwerpenit, Yasin M., alias Teentje.
Ndryshe nga Denis Matoshi, Cinco nuk fshihet në Dubai. Cinco thjesht shëtit nëpër Tiranë si njeri i lirë, me të dashurën e tij Elira, një avokate.
Duke qenë se Shqipëria nuk ekstradon shtetasit e saj, “Cinco” nuk ka pse të frikësohet se do të ekstradohet në Belgjikë.
Nëse gjykatat shqiptare do ta lërë të qetë, kjo është tjetër histori….