Policia e Fierit ka shpallur në kërkim Arben Isufin i njohur si Ben Qimja pasi dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Vladimir Cjapi. Ky i fundit dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje nga policia.
Gazetari Elton Qyno shkruan se zanafilla e sherrit ka nisur për një çështje që Cjapi ka aktualisht “në duar”. Gjyqtari ka në shqyrtim gjyqësor një çështje penale, ku i pandehur për akuzën e “Kundërshtimit të punonjësve të policisë” është marrë një nga nipat e Isufajt.
Duke qenë se para se të bëhej gjyqtar, Vladimir Cjapi kishte shërbyer si avokat në qytet, ishte hasur në punën e tij edhe duke mbrojtur çështje të familjes Isufaj. Ndaj për shkak të kësaj njohje, Arben Isufaj i ka kërkuar ndihmë. Por kërkesave të Arben Isufaj, gjyqtari i Fierit i është përgjigjur negativisht, gjë që nuk është pritur mirë nga pala tjetër.
Mësohet se përmes një personi tjetër, që njihet dhe nga Arben Isufaj por edhe nga gjyqtari Vladimir Cjapi, Isufaj i ka dërguar një mesazh kërcënues.
Mesazhi i Ben Qimes ka qenë ky: “Mbaje mend se çdo të të bëj, edhe mushkonjat e shtëpisë do ti vras”.
Menjëherë pas mesazhit, gjyqtari Cjapi bërë kallëzim në polici. Ndaj edhe dje, në banesën e Arben Isufajt shkuan për kontroll forcat RENEA, por i shpalluri në kërkim nuk u gjet në shtëpi.
Nga kontrollet që forcat RENEA kanë bërë banesat, ambientet dhe automjet që janë në pronësi të 55-vjeçarit kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifunksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë.
Tani 55-vjeçari Arben Isufi akuzohet për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.