Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, prej 3 vitesh po teston SPAK-un, nëse ai e ka seriozisht hetimin që ka hapur ndaj tij për vjedhje fondesh publike me tender fiktivë, ose ka bërë pazar që të mos preket.
Është provuar me dokumente të firmosura nga drejtor Agolli, se sajoji dhe i dha tender djalit të tij Flladi Agolli, për të krijuar menu gatimesh fshati; por dhe shumë tenderë të tjerë me vlerë afro 40 milionë Euro, sipas pazareve që ka bërë Edi Rama, ai dhe ministrat anëtarë Bordi të FSHZH.
Më 2 shkurt 2022, SPAK njoftoi, se kishte nisur hetimin ndaj Drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, për skandalin me tenderin 500 mijë USD bërë më 27 janar 2022, që ia dha restorantit të djalit të tij në Lalz.
Prej datës 2 shkurt 2022 që nisi hetimin, SPAK e thirri Dritan Agollin më 12 nëntor 2024; periudhë kur ai ka sajuar qindra tenderë fiktivë, nën maskën e projektit “100 fshatrat turistikë”, madje edhe tenderë për palestra e fusha tenisi në natyrë, në fshatra ku ka vetëm të moshuar.
Paprekshmëria nga SPAK, për arsye që i di Altin Dumani, e ka bërë më trim e më të shfrenuar Agollin e FSHZH-së, duke vazhduar abuzimin me fondet publike, nëpërmjet tenderëve fiktivë miliona eurosh, të cilët janë në dosje.
P.sh., në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 24 shkurt 2025, drejtori Agolli, njoftoi se ka zhvilluar tenderin me objekt: “Ndërhyrje për rehabilitim dhe transformim mjedisor, peisazhit urban e natyror dhe unifikimin e gardheve në zona bregdetare”.
Ky tender me vlerë totale 1.7 milionë Euro, përfshin unifikim gardhesh në plazhe me fondet e shtetit, për të kufizuar parcelat që kanë zaptuar oligarkët, të fortët, trafikantët dhe zyrtarët përballë hoteleve të tyre, ose i kanë zaptuar si parcela biznesi vetëm me shezlongë.

Edhe këtë tender, Agolli e ka deklaruar si investim në kuadër të projektit “100 fshatrat turistikë”, duke filluar me unifikimin e gardheve në plazhet e Himarës, me vlerë kontrate 420 mijë Euro; të cilin e ka deklaruar si “përmirësim të elementeve arkitektonik të gardheve”, kur gardhet në plazh nuk kanë rrezik tërmetesh.
Tenderin për gardhet në plazhe, drejtori Dritan Agolli ia ka dhënë kompanisë “BEAN” Sh.p.k me qëndër në Fier e pronar ne letra Arben Gjojdeshi e pronar faktik vëllain Neritan Gjojdeshi, ish-drejtori socialist i Ujësjellësit të Tiranës, me të cilin, Agolli ka lidhje qysh kur ishte drejtor në Bashkinë Fier dhe bënë biznese ilegale e sekserizime tenderësh.
Pyetja që bëhet, është kjo: Përse prej 3 vitesh hetim, SPAK nuk po i kërkon Gjykatës së Posasçme, të çojë brenda “gardhit”, Drejtorin e FSHZH, Dritan Agolli?!