Kontrolli i Lartë i Shtetit është organi i radhës në shënjestrën e komisionit “Xhafaj”. Kontrolli i Lartë i Shtetit qëllimin kryesor të veprimtarisë e ka kontrollin e shpenzimeve të qeverive për llogari të shtetit dhe paraqitjen e vlerësimit, për rregullat e ligjshmërinë në Kuvend për një mirëmenaxhim të funksionimit të financave publike.
Që nga koha e Mbretit Zog, në varësi të regjimit politik të kohës, institucioni ka pësuar ndryshime në formën e funksionimit të vet, përfshirë objektin, vartësinë dhe kompetencat. Nga viti 1925 kur u kompozua për herë të parë, institucioni i auditimit të llogarive të shtetit, ka ndryshuar 6 her?. Që prej miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në 1998 institucioni i auditimit financiar në vend mban emrin “Kontrolli i Lartë i Shtetit” (KLSH).
Komisioni “Xhafaj”, një nga objektivat e vet ka pikërisht shpërbërjen e institucionit ekzistues dhe në vend të tij organizimin e një institucioni të ri nën petkun e “Gjykatës së Llogarive”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk është organ i atakuar nga publiku. Përkundrazi! Nuk ka matje apo indikatorë që të kenë nxjerë në pah ndonjë mosfunksionim apo keqfunksionim të këtij institucioni. Përkundrazi! Lista e gjatë me raporte auditimi dhe referimi i çështjeve në Prokurori dhe SPAK, shkojnë në favor të vlerësimit lidhur me pavarësinë e institucionit dhe jo të shpërbërjes së tij.
Atëherë pse ky institucion është targetuar për t’u mbyllur? Institucioni vetë nuk është përfshirë ndonjëherë në skandale me përjashtim të rastit kur drejtohej nga Bujar Leskaj, i cili pasi dha dorëheqjen dhe u largua 5 muaj duke ndjekur angazhimet e veta profesionale private, u rikthye pasi deklaroi se ishte dorëhequr nga dorëheqja.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e mbështeti zotin Leskaj në këtë praktikë dhe sjellje novatore si me postin shtetëror, ashtu edhe me institucionin e dorëheqjes.
Në çdo rast mbetet të kuptohet se çfarë studimi ka bërë mazhoranca, që e ka çuar në konkluzionin që sot KLSH nuk funksionon më. Në tavolinat e atyre që janë pjesë e menaxhimit të asaj që quhet mazhorancë, flitet shpesh për ngritjen e Gjykatës së Llogarive.
Por çfarë është Gjykata e Llogarive?
Në Italinë fqinje, gjyqtarët e gjykatës përzgjidhen me konkurs publik në të cilin mund të marrin pjesë magjistratë të gjykatave, ushtarakë, avokatë të shtetit ose zyrtarë me cilësi të veçanta. Ajo gjykatë përbëhet nga 15 veta që zgjidhen përkatësisht, 1/3 emerohen nga Presidenti, 1/3 nga organet e drejtësisë dhe 1/3 nga parlamenti.
Gjykata Evropiane e Llogarive është gjykata që kontrollon të ardhurat dhe shpenzimet e Bashkimit Evropian nga ana ligjore dhe siguron që menaxhimi financiar të jetë i efektshëm. Gjithashtu i përcjell Parlamentit Evropian dhe Këshillit një deklaratë garancie në lidhje me besueshmërinë e raporteve financiare dhe të transaksioneve që përmbajnë raportet. Gjykata përbëhet nga shtetas të secilit shtet anëtar, të cilët zgjidhen për një mandat 6-vjeçar me shumicë të cilësuar të Këshillit të Bashkimit Evropian, pasi ky i fundit këshillohet me Parlamentin Evropian.
Në Shqipëri ngritja e Gjykatës së Llogarive është përmendur shpesh nga Lulzim Basha. Lulzimi nuk shquhet për dije, as juridike, as teknike e aq më pak të jetë klasifikuar ndonjëherë si person që di se për çfarë flet. Përgjithësisht Lulzimi thotë atë që i thonë të thotë, ndaj vështirë të lexohet Lulzimi si reformator. Lulzimin as nuk e dëgjojnë e as nuk e marrin seriozisht në elektorat, as djathtas e aq më pak majtas.
Por Lulzimin e paska dëgjuar mazhoranca! Ngritja e Gjykatës së Llogarive kërkon vota që ndryshojnë Kushtetutën, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit është organ kushtetues. Mazhoranca ato vota nuk i ka! As Lulzimi nuk i ka!
Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, deri dje refuzonte të bëhej pjesë e komisionit “Xhafaj”, por kjo mund të jetë (mos) lëvizje e përkohshme.
Deri në shtator, kujtesa e publikut rreth marrëveshjes për ndryshime të Kodit Zgjedhor, do jetë mpakur. Ndaj mos u habisni nëse Flamur Noka për shembull, do ulet si anëtar i atij komisioni, dhe do kërkojë të çohet deri në fund reforma “Lulzim Basha” lidhur me Gjykatën e Llogarive. Mundet që edhe vetë Lulzimi të bëhet pjesë e atij komisioni. Në fund të fundit ai është ende anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së!/CNA