Në një njoftim të shkurtër për shtyp, SPAK bëri të ditur se ka urdhëruar arrestimin e Jurgis Çyrbja, ish-drejtor hipoteke dhe deputet për Partinë Socialiste, për pothuajse dy mandate nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, përkrahje krimi dhe nxjerrje e sekretit shtetëror.
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, u arrestua të dielën në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, bëri të ditur në një njoftim të shkurtër se urdhërarresti është lëshuar nën akuzat ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; ‘Përkrahja e autorit të krimit’, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe ‘Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit’, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”.
Korrupsioni aktiv në zgjedhje parashikon dënim nga një deri në pesë vite, ndërsa neni 302/1/2 parashikon dënimin nga dy deri në shtatë vjet. Neni 295/1 parashikon dënim nga gjobë deri në pesë vjet.
Jurgis Çyrbja, u zgjodh për herë të parë si deputet i Partisë Socialiste në vitin 2017 në qarkun e Durrësit. Çyrbja, një ish-drejtor hipoteke, u bë i njohur në veçanti për rastin e ish-Hotel Vollgës, një pronë në qendër të Durrësit, për të cilën, Emiljano Shullazi, i dënuar disa herë për krime të ndryshme, kishte interes.
Sipas CV-së së tij, Çyrbja, 39-vjeç, ka mbaruar studimet në vitin 2010 dhe është bërë drejtor i Hipotekës së Durrësit në vitin 2013 dhe deputet në vitin 2017.