Ndërsa maxhoranca ka shprehur kritika ndaj SPAK për përdorimin e masave të sigurisë ‘arrest në burg’, ‘pa kriter’ apo ‘instrument për statistika penale’, Prokuroria e Posaçme ka publikuar një bilanc për vitin 2024 ku figuron se vetëm 30% e personave që po heton janë në masë sigurie ‘arrest në burg’ pra në paraburgim.
Prokuroria e Posaçme ka bërë bilancin e punës së saj përgjatë vitit 2024, ku shprehet se janë marrë nën hetim 629 persona.
Postimi i plotë i SPAK:
Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime ndaj 629 personave.
Prej tyre, vetëm 236 persona ose 37.5% janë hetuar nën masën e sigurimit “arrest me burg”, i parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
246 persona ose 39.1% janë hetuar në gjendje të lirë.
147 persona ose 23.4 % të hetuar me masa të tjera sigurimi.
Raporti i të paraburgosurve:
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri total i personave në paraburgim është 2791 për vitin 2024.
Nga totali prej 2791, numri i personave në paraburgim të hetuar nga SPAK është 270 persona ose 9.7%
Çfarë deklaroi Fatmir Xhafaj pak ditë më parë
E kam deklaruar edhe më herët, se unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin arrestin me burg si alternativën kryesore në masat e sigurisë apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për statistika penale apo populizëm mediatik.
Këto shqetësime, që i kam dëgjuar të artikulohen edhe nga shumë profesionistë të fushës, i kam ngritur në mënyrë koherente në çdo debat apo dalje publike.
Ashtu si dhe vetë SPAK në raportimet periodike në Kuvend ka pohuar fort faktin se do të duhet që të ketë përmirësime ligjore në disa aspekte. Pikërisht për adresimin e këtyre çështjeve ne kemi hapur një diskutim konstruktiv edhe me ftesën e bashkëpunimit për ta, në funksion të interesit publik.
Një diskutim për të konsoliduar më shumë arritjet, por edhe për të reflektuar dhe përmirësuar sistemin e drejtësisë penale, të një drejtësie preventive, jo represive.
