Në Apelin e GJKKO u zhvillua këtë të enjte seanca e radhës për dosjen e njohur si “Plumbi i artë”. Para togave të zeza dëshmoi në këtë seancë të radhës bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej.
Alibej akuzohet si kreu i një organizate kriminale në Elbasan, porositës i disa atentateve me pagesë për hakmarrje dhe për motive që lidhen me krimin e organizuar. Ai dha detaje të rëndësishme lidhur me hetimet.
Gjatë seancës, Alibej zbuloi bisedat dhe takimet që pati me Nuredin Dumanin me qëllim zbardhjen e personave të përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit, ku u ekzekutuan Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay.
I njohur me nofkën “Krymi”, Alibej para Gjykatës deklaroi besnikëri ndaj së vërtetës dhe dha një pasqyrë të plotë të sfidave me të cilat është përballur: “Betohem që do them të vërtetën, jam me arsim të lartë, kam qenë i dënuar në Itali ndërsa në Shqipëri me dëshmi penaliteti rezultoj i pastër.
Me 29 dhjetor të 2018-ës në një atentat që ne si familje e quajmë kamikaz…” (deklarata ndërpritet nga avokatët e të pandehurve të tjerë).
Ai shpjegoi gjithashtu mënyrën se si u njoh me Nuredin Dumanin dhe arsyet që çuan në takimin e tyre: “Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, nga fillimi i 2020-es, Arjan Spahiu kishte kontakt me anë të një ‘Fati’, kam qenë përdorues i Enkro Chat dhe Sky ECC, Arjani më tha që Nuredin Dumani kishte kërkuar vetë me u taku me mua sepse gjatë kësaj periudhe kisha hedh si fjalë në rrugë apo në shoqëri që për Talo Çelen jepja 100 mijë euro me e vra dhe 200 mijë kush ma sillte të gjallë. Nuredin Dumanit i kishte shkuar në vesh kjo gjë.”
Në seancë u prezantua edhe mënyra se si Alibej regjistroi bisedën me Nuredin Dumanin dhe se çfarë u diskutua në atë takim.
“Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion, erdhi tek pallati në një shtëpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim, për 2 orë e 48 minuta, e regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin, më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më tha që është në dijeni dhe Festim Qoli, i thashë ok, nis bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutoret e familjave të mia,” tha Alibej.
Ai theksoi gjithashtu pengesat që i ka krijuar një tjetër person në përpjekjet për zbardhjen e ngjarjeve, duke përmendur veçanërisht Eljo Bitrin.
“Eljo Bitri ma zvarriste takimin, kisha 2 muaj që e kërkoja, 90 % e kisha të zbardhur atë që i ndodhi familjarëve të mi, i nxora foto Dumanit, i thashë, ‘Vëllai jot Dashnor Dumani ka marrë pjesë në masakër.’ Nuredini nuk ma pranoi, tha s’ka lidhje Dashnori, i thashë të betohej në Kuran, të fal gjakun e vëllait vetëm me thuaj të vërtetën,” tha Alibej.
“Unë i tregova internierarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët, më tha ka qenë edhe një Dorjan Shkoza dhe ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbrit duke qëlluar tek ana tjetër. Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe Dashnorin për ta ekzekutuar. Dumani më tha se kishte probleme vet me ata. Unë i thashë më intereson vetëm Talo Çela. Unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai, vëllezërit Copja, miq të hershëm tanë,” shtoi ai.
Në fund, ai bëri me dije lidhjet financiare dhe bashkëpunimin mes personave të përfshirë në krim.
“Dumani më tha se Talo Çela shkon shumë edhe me Festim Qolin, më tha që për vrasjet unë marr gjysmën e lekëve. E pashë që nuk kishte telefon të enkriptuar, i shpjegova Arjanit që Nuredini s’ka Sky ECC, dhe i dhashë një iPhone 6 që kishte të instaluar Sky ECC, i dhashë dhe 50 mijë euro, e mësova dhe si përdoret Sky ECC,” përfundoi Alibej.