Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, i ftuar në emisionin “3D” është vënë përballë akuzave të dy liderëve të opozitës Sali Berishës dhe Ilir Metës, ndaj të cilëve SPAK i ka arrestuar.
Dumani deklaroi se ato akuza po i dëgjonte për herë të parë, për shkak se është shumë i angazhuar në punën e tij, gjithsesi theksoi se vihet në dijeni nga stafi i tij.
Në lidhje me 3 aprtamentet e përmendura nga kreu i PD-së, Sali Berisha, Altin Dumani deklaroi se nuk ka asgjë për të fshehur, duke përfshirë dhe këto apartamente që sipas tij, i ka dhe i ka të deklaruara.
Kreu i SPAK tha se i është nënshtruar një hetimi të thelluar nga vetingu në lidhje me pasurinë dhe sipas tij, kushdo që është i interesuar mund t’i marrë ato dokumente.
“Nuk kam pse i jap përgjigje Berishës, por i jap përgjigje publikut se paguhem nga taksat e shqiptarëve. Pasuria ime është kontrolluar në detaje përmes një procesi administrativ shumë të thellë. Kush është i interesuar mund të shkojë dhe t’i marrë dokumentet atje nga vetingu. Unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe çdo gjë e kam të deklaruar dhe çdo gjë është produkt i punës time dhe të familjes time si dhe të një kredie që unë e kam marrë para vitit 2006. Pasuritë i kam, edhe këto tre apartamente që përmend Berisha. Dy janë para vitit 2013, një është pas. Unë kurrë nuk kam fshehur qoftë edhe një dhuratë që i kalon shumën prej 100 eurosh, se e kam pakt me veten time.” – tha Altin Dumani.