Një tjetër tender i dyshimtë ka kaluar pa shumë zhurmë, kësaj radhe në sektorin e ujësjellësit. Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Gjirokastër SH.A, në varësi të ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku, ka shpallur fituese kompaninë GJIKURIA, në bashkëpunim me EC Pro Partners, për ndërtimin e ujësjellësave të fshatrave Fushëbardhë dhe Zhulat në Bashkinë Gjirokastër.

Vlera fituese e këtij tenderi është 225,484,714 lekë të reja pa TVSH, rreth 2.7 milionë euro me TVSH. Ndërsa fondi limit i përcaktuar ishte 248,188,809 lekë të reja ose rreth 2.9 milionë euro me TVSH. Kjo do të thotë se tenderi është fituar me rreth 91% të fondit limit, një shifër tepër e lartë që ngre dyshime për abuzim dhe favorizim.
Duke analizuar dokumentet e tenderit të publikuara në APP, rezulton se në garë kanë marrë pjesë gjithsej 6 kompani, nga të cilat 4 prej tyre kanë ofruar vlera më të ulëta se fituesi. Madje, një prej ofertave ka qenë gati 600 mijë euro më e lirë se ajo e shpallur fituese.

Pavarësisht kësaj, tenderi iu dha GJIKURIA-s & EC Pro Partners, duke lënë në hije ofertat më të leverdishme për buxhetin e shtetit. Ky fakt hedh dyshime të forta për një skenar të paracaktuar, ku fituesi ishte vendosur që në fillim dhe gara ishte vetëm një formalitet.
Kompania GJIKURIA, në pronësi të Florenc dhe Milo Gjikuria, ka fituar tenderin në bashkëpunim me EC Pro Partners, në pronësi të Emiliano Delilaj dhe Migel Ali. Ky është vetëm një nga rastet ku kjo kompani përfiton kontrata të majme nga institucionet shtetërore, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e dhënies së tyre dhe kriteret e përzgjedhjes.

Kur një kompani fiton një tender me një ofertë më të lartë sesa konkurrentët, shtrohet pyetja: A është ky një rast i qartë i manipulimit të procedurës? Përse një ofertë 600 mijë euro më e shtrenjtë u shpall fituese, duke injoruar alternativa më ekonomike? A janë këto kompani të lidhura me pushtetin dhe a po shkon ky tender drejt një skenari të parashkruar?
Përgjigjet mbeten në duart e institucioneve, por një gjë është e qartë: paratë publike vijojnë të ndahen me të njëjtin skenar të njohur, ndërsa taksapaguesit paguajnë faturën e tenderave me fitues të paracaktuar.