Kreu i qeverisë Edi Rama është paraqitur këtë të enjte në ambientet e QSUT, ku raportohet se i është nënshtruar një operacioni në hernie, një problem që kryeministri e ka raportuar edhe më herët.
Mësohet se Rama po operohet nga doktori Arben Gjata, teksa disa kohë më parë kreu i qeverisë iu nënshtrua një tjetër operacioni për heqjen e apendicitit.
Hernie inguinale njihet në gjuhën popullore si dhjamthi. Operacioni ka shkuar mirë, dhe kryeministri është në gjendje të mirë shëndetësore, bëjnë të ditur burime nga QSUT.
Zyra e Kryeministrisë tha se Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT.
“Kryeministri Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, njoftoi zyra e Kryeministrit.
Rama e paralajmëroi ndërhyrjen kirurgjikale pak ditë më parë gjatë inspektimit të hapjes së spitalit ditor brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale që i kam mësuar edhe emrin se kësaj diskales nuk i kërkoj mjek sepse punoj me forcat e mia, me stretch, me vetëpërmbajte përpara ushqimit që të mos rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, po kësaj inguinales mesa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do vij prapë me shumë kënaqësi” deklaroi Rama.