Një atentat mafioz ndodhi këtë pasdite në Shkodër, ku u ekzekutua vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici dhe Arlind Bushati djali i kandidatit të Bashës për kryebashkiak në zgjedhjet e 6 marsit 2022. Sakaq, mbeti e vrarë një grua që po kalonte me të shoqin me motor, ndërsa bashkëshorti i gruas që humbi jetën ndodhet në gjendje të rëndë.. Gjendet një makinë e djegur me dy kallashnikovë ndërsa RENEA ka hyrë në Dobraç ku po bën kontrolle edhe tek Bajrajt me të cilët fisi Lici ka armiqësi të fortë. Çifti fatkeq në ‘vendin e gabuar’
Hamza Lici, vëllai i vogël i të fortit të Shkodrës Ibrahim Lici, u vra në atentat mafioz në Dobraç të Shkodrës. Bashkë me të në Benzin C-Class me targa kroate ishte Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës disa orë më vonë pasi kishte marrë një plumb në kokë. 32-vjeçari është djali i eksponentit të PD-së, ish-kandidat për kryetar bashkie në 2022-shin, Xhemal Bushati.
Masakra e së mërkurës në Shkodër riktheu frikën e dhunës së bandave dhe la pas një viktimë të pafajshme. Çifti Basha që udhëtonte me motoçikletë u përplas nga makina e për pasojë ndërroi jetë 56-vjeçarja Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj, 67-vjeçari Bashkim Basha po lufton për jetën në spital.
Atentati që besohet se kishte në shënjestër si 23-vjecarin Lici ashtu dhe 32-vjecarin Bushati është një ngjarje e paralajmëruar. Vetëm 3 javë më parë u kërcënua me jetë në pedonalen e Shkodrës Arlind Bushati. Dy persona me motor janë afruar pranë tavolinës kanë nxjerr pistoletën por nuk e kanë qëlluar. Ai bëri denoncim në polici, por motivet nuk dihen dhe autorët nuk janë identifikuar. Bushati nuk ishte person me precedentë penal, punonte në bizneset e të atit.
Nga të dhënat e para hetimore mësohet se një automjet u ka zënë pritë në afërsi të kryqëzimit të “5 Heronjve” rreth orës 15:50. Atentatorët kanë qëlluar me breshëri automatiku dhe në vendngjarje janë gjetur me dhjetëra gëzhoja, sic shihet në pamjet e Report tv. Policia ende nuk ka rënë në gjurmë e autoreve te atentatit mafioz por pista e hetimit është e qartë: Hakmarrja!
Për grupin hetimor të dyshuarit kryesor janë anetaret e grupit “Bajri” që jeton në Dobraç, pasi njihet hasmëria e tyre disa vjecare me Licët. Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, cili u arrestua në Turqi por nuk u ekstradua. Nga Prokuroria e Shkodrës ai akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës. Emri i tij është përmendur dhe në dosjen famëkeqe “Metamorfoza”, ku përgjimet e autoriteteve belge dhe franceze kanë zbuluar konfliktet e vazhdueshme mes Licëve, Bajrave dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka.
Atentati në Shkodër, ndërron jetë Arlind Bushati
Ndërron jetë në spitalin e Shkodrës Arlind Bushati njëri prej të plagosurve rëndë në atentatin e sotëm në lagjen Dobraç. Më parë ndërroi jetë në vendngjarje Hamza Lici i cili ishte në një makinë me Bushatin. Besohet se shënjestra e atentatit ishin të dy personat, teksa viktimë tjetër e kësaj ngjarjeje ishte një kalimtare, ndërsa bashkëshorti i saj është i plagosur rëndë.