I ‘forti i Shkodrës’, Safet Bajri është shoqëruar në polici pas kontrollit që forcat RENEA kryen dy ditë më parë në banesën e tij.
Dy ditë më parë forcat RENEA kreu kontrolle në banesën e Safet Bajrit në Shkodër.
Arrestimi i tij ka ardhur pas urdhrit të dhënë nga GJKKO, ndërsa Bajri po transferohet në këto momente drejt Tiranës.
Prokuroria e Posaçme dy ditë më parë dha detaje nga hetimi për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica.
Të paktën 3 anëtarë të identifikuar të grupit Bajri në Shkodër, verën e vitit të kaluar, kishin organizuar gjithçka, për të realizuar ndoshta një nga ngjarjet më të rëndë kriminale: Të vrisnin disa familjarë duke i shkuar befasisht në fshatin ku banojnë.
Samuel Troshani, Izmir Sakica dhe Franko Leka, bashkë me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar nga SPAK, por të konsideruar të gjithë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, u armatosën deri në dhëmbë, me armë dhe makina të blinduara, për të vrarë një nga rivalët e tyre, Aleksandër Prendin. Grupi i shkoi në fshatin ku ai banon, Rranxë të Bushatit, pasditen vonë të 23 gushtit 2024, për ta vrarë jo vetëm atë, por të edhe anëtarë të tjerë të familjes, banues në të njëjtën zonë.
Aleksandër Prendi i druhej një ngjarje kriminale ndaj tij. Sapo ka parë automjetet e dyshimta, ka qëlluar me armë ndaj tyre, duke i larguar pa e realizuar vrasjen. Për këto të shtëna që arma e tij nxorri, SPAK e ka shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Dy nga personat që SPAK i gjen pas planit për të vrarë Prendin, Samuel Troshani, Izmir Sakica, ndodhen në qeli, pasi u vetëdorëzuan në Policinë e Shkodrës më 22 janar 2025 për rrahjen e një qytetari në Shkodër.
Ndërsa më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim Izmir Sakica dhe Samuel Troshani dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim Franko Leka dhe Aleksandër Prendi. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale si grup i strukturuar kriminal.
“Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23 gusht 2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
“Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim Aleksandër Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim Aleksandër Prendi” informoi SPAK.
I dyshuari i tretë Franko Leka nuk u gjet, edhe pse RENEA zbarkoi në Shkodër në një operacion të shtrirë në pika kyçe që dyshohet se mund të shërbenin si baza për fshehjen e personave të kërkuar ose si vende, ku mund të gjenden prova për hetimet e SPAK.
Një “Audi A8” i blinduar që mori shenja plumbash, grupi kriminal e la në vendngjarje, dhe polcia zbuloi se ishte e paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë të njëjtit mjet.
Gjithashtu po dje me vendim të GJKKO-së është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Kontrolle u ushtruan në zonën e Dobraçit dhe Livadheve, ku SPAK kishte dyshime se mund të gjenin edhe të dyshuar për masakrën e tetorit të vitit të kaluar më 4 të vrarë në Dobraç.