Policia ka arrestuar Anxhelo Llanaj, djalin e ndërtuesit të njohur Sino Llanaj. 21-vjeçari akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Around”, nga Seksioni për Operacionet Speciale në DVP Tiranë. Kapet dhe arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Shërbimet e Seksionit për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Around”.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të stadiumit “Dinamo”, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi A. Ll., 21 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal”, njoftoi policia.
Kujtojmë se në muajin Janar të këtij viti edhe Sino Llanaj, nga shërbimet e policisë është arrestuar gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, në autostradën “Fier-Vlorë”, duke i gjetur 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Këtij të fundit pistoleta iu gjet në kroskot e mbuluar me qese plasmasi.
Sino Llanaj është ndërtuesi i një kompleksi pallatesh në zonën e ish “Parkut të Autobusave” bashkë me ndërtuesin Albert Allmuca, por konflikti mes tyre ka lënë në qiell të hapur banorët e 120 familjeve. Dy ndërtuesit u konfliktuan më 13 janar të vitit 2021, sherr që përfundoi në plagosjen e njërit prej tyre. Nga përplasja me armë mbeti i plagosur ndërtuesi Sino Llanaj.