GPas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe “arrestit të shtëpisë” ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, SPAK ka kërkuar masë sigurie edhe për 5 biznesmenë.
GJKKO mësohet se ka caktuar “detyrim paraqitje” për pesë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Gentian Sula është një nga oligarkët që është denoncuar në shumë artikuj nga Zahiri. Ai ka marrë edhe shumë leje ndërtimi të rëndësishme, ku një prej tyre është edhe betonizimi i liqenit të Farkës. Sulaj njihet edhe si oligarku i Kodrës së Diellit, pronar i disa bizneseve dhe përfitues i madh i tenderave publik të Bashkisë Tiranë, e jo vetëm.
Shkëlqim Fusha, është një tjetër oligark i preferuar i qeverisë, me emër dhe “famë” në vendin tonë dhe i specializuar në vjedhjen e miliardave nga pushteti vendor dhe ai qëndror. Falë kompanisë së tij, Fusha vazhdon të ushqehet përsëri me gjakun dhe djersën e shqiptarëve, ndërkohë që deri më sot SPAK s’ka marrë mundimin as ta hetojë për gjitha vjedhjet e kryera dhe xhepat e mbushur pa të drejtë.
Fatmir Bektashi, biznesmeni i firmës së ndërtimit “Kontakt” është akuzuar më parë për korrupsion aktiv dhe pastrim parash në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Ai ka arritur të mbushë për një kohë të shkurtër gjithë periferinë e Tiranës me pallate dhe inerte duke shkaktuar një katastrofë ekologjike dhe mjedisore. Lejet ndërtimore që ai ka arritur të marrë nga Erion Veliaj kanë ngjallur shumë dyshime por edhe reagime te banorët e zonave ku ai ndërton.
Sokol Kryeziu është zotërues i shoqërisë “GERARD – A’ me objekt veprimtarie Importin, eksportin brenda dhe jashte vendit, transport publik, transportin urban dhe në shit blerje automjetesh. Me qeverisjen vendore, ai ka arritur të sigurojë 23 kontrata publike me vlerë 460,132,740 lekë.
I fundit në listë është Meriman Palushi, i kompanisë ish “PALUSHI” me veprimtari: Punime dheu, sistemime, tarracime, tarracime terrenesh, ndertime civile dhe ekonomike.
Të gjithë biznesmenët e lartpërmendur dyshohet se kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.
Duhet thënë se masa e sigurisë ndaj bashkëshortes së Veliajt nuk është ekzekutuar pasi ajo ndodhet jashtë shtetit. Bashkëshortja e kryebashkiakut rezulton se ka dalë jashtë Shqipërisë më datën 8 Shkurt dhe ka udhëtuar drejt Romës dhe nuk është kthyer ende.