Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim biznesmenin Julian alias Lulzim Morina (i njohur ndryshe si Lul Morina) dhe kompaninë e tij “Xheluks Construksion” shpk, të cilët akuzohen për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Fillimisht biznesmeni Julian Morina u vu nën hetim për ndërtimin pa lejë të një pallati 9 katësh në zonën e “Liqenit të Thatë”.
Më pas, më 20 shkurt të vitit 2023, komisariati nr. 1 i kryeqytetit ka referuar materialin në prokurori ndaj Morinës, për dyshimet se ka ndërtuar pa lejë dy kate shtesë në një objekt që ndodhet në “Rrugën e Elbasanit” në Tiranë.
Këto dy dosje janë bashkuar nga Prokuroria e Tiranës në një të vetme dhe pas hetimeve janë gjetur shkelje se në të dy rastet ka patur ndërtim pa leje, apo tejkalim të lejes së dhënë nga autoritetet.
“Gjatë hetimeve mbi disa procedime penale të regjistruara për këtë shtetas dhe kompaninë që ai administron,për periudhën 2021-2024, u konstatua se kjo shoqëri tejkaloi lejet e ndërtimit të marra për godina banimi dhe shërbime në disa raste.
Më konkretisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Partë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se tek Liqeni i Thatë, në Farkë, shoqëria ‘Xheluks Construksion’ ishte pajisur me leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbime 1,2,3,4,5 dhe 6 kate me 2 dhe 3 kate nën tokë dhe në tejkalim të saj ka shtuar sipërfaqe ndërtimi dhe volum shtesëprej 2500m2. Ndërkohë që nga kontrollet në terren, u konstatua edhe një objekt tërësisht i ri me 7-kate dhe dy kate nën tokë, i ndërtuar pa leje ndërtimi me sipërfaqe 4622 m2. Subjekti tejkaloi lejen e ndërtimit edhe në godinat e tjera në këtë zonë, duke krijuar sipërfaqe shtesë në lartësi dhe volum me rreth 3065.8m2.
Po kështu, prokuroria administroi ekspertimin teknik në lidhje me punimet e kryera po nga kjo shoqëri në Rr. Elbasanit, nga ku rezultoi se një pjesë e tyre kanë dalë jashtë lejes së miratuar. Në objektin ‘Godinë banimi dhe shërbimi’ 4,5,6 dhe 7 me 2 kate parkim në Rr. Elbasanit, u regjistrua një shtesëndërtimi prej 5866.88m2.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se Julian Morina duhet të përgjigjet para ligjit për ndërtimet e paligjshme të kryera nga shoqëria “Xheluks Construksion” shpk dhe për tejkalim të lejes së ndërtimit me njësipërfaqe totale prej 15.974.88m2.
Ndërkohë Juljan Morina, i njohur si Lul Morina, përmes kompanisë me aktivitet të dyshimtë Xheluks Construksion shpk, ka aplikuar për të marrë statusin e investitorit strategjik, me qëllim për të ndërtuar në resort në Himarë me vlerë rreth 18 milionë euro.
Bëhet fjalë për projektin investues “Livadh Beach Resort”, planifikuar për t’u zbatuar në prona të grabitura dhe me para të dyshimta.
Projekti i investimit është bllokuar përkohësisht nga Edi Rama “deri sa të qartësohet dhe plotësohet informacioni i vënë në dispozicion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë“.
Vendimi i bllokimit provizor është firmosur nga Edi Rama në maj të këtij viti. Gjatë këtyre muajve duket se Lul Morina ka lëvizur fijet për të kopsitur letrat e pronës së tjetërsuar në Himarë, e piketuar për të ndërtuar resortin.
Planin për të shpallur Lul Morinën investitor strategjik mund t’a prishë vetëm SPAK-u, nëse do të nisë një hetim mbi aktivitetin e dyshimtë të biznesmenin, lidhjet me bosë droge dhe pesona të kërkuar ndërkombtarisht për pastrim parash dhe mashtrim, si dhe për burimin e parave, me të cilat Morina ka ngritur një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, kamufluar me disa kompani fantazmë.
Kush është Lul Morina me Kompani fantazmë e pasuri të dyshimtë
Lul Morina u shfaq në fushën e biznesit të ndërtimit në vitin 2005, duke i blerë Shaban Zekajt aksionet në kompaninë ‘Rinia 04’, themeluar në vitin 2004, me kapital 100 mijë lekë, me zyra në Fier.
Një vit më pas, Morina i shton kompanisë fantazmë të ndërtimit si objekt veprimtaria edhe import/eksport të frutave/perimeve. Importi i frutave, sidomos nga Ekuadori dhe Kolumbia, është forma më e përhapur e kamuflimit të trafikut të kokainës. Kompania ‘Rinia 04’, herë rezulton me bilance dhe herë pa bilance, duke ngritur dyshime të forta për një skemë të pastrimit të parave.
Në vitin 2012, Morina i blen Besnik Serdanit kompaninë Xheluks Construksion, për 100 mijë lekë, me të cilën ka ndërtuar pallatin pa leje tek Liqeni i Thatë në Tiranë. Edhe kjo kompani ishte themeluar në vitin 2010 dhe nuk kishte ndonjë aktivitet të konsoliduar ekonomik.
Në vitin 2018, Lul Morina i blen Jorgji Ruçit kompaninë “Drymades Dream”, për 7.5 milionë lekë, duke ndërtuar më pas resorte më vlerë miliona euro. Çuditërisht edhe kjo komapni kishte si objekt import/eksport të fruta/perimeve.
Disa muaj më pas, Lul Morina, me këtë kompani, hyn në ortakëri me vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, në kërkim për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliardë USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi.
Me anë të këtyre kompanive fantazmë dhe që i ka blerë me më pak se sa 10 milionë lekë, Lul Morina ka qarkulluar miliarda lekë dhe ka investuar dhjetëra milionë euro në pasuri të paluajtshme, si resorte, hotele dhe pallate, por edhe duke blerë jaht, makina të shtrenjta etj.
-A qëndron Lul Morina pas një prej linjave kryesore të trafikut të kokainës nga Kolumbia dhe Ekuatori drejt Portit të Durrësit?
-A ka punuar Arbër Çekaj, i arrestuar për 613 kg kokainë të kapura në Portin e Durrësit, për Lul Morinën?
-A janë para kokainë miliona euro të kamufluara me tre kompani ndërtimi fantazmë?
Lidhja me vëllezërit indianë
Emri i Lul Morinës doli edhe një herë në vitin 2019 gjatë historisë së pazakontë të vëllezërve indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë qindra milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Dy vëllezërit indianë gjetën strehë në Shqipëri, ndërsa u pajisën me nënshtetësi nga Ilir Meta, ndonëse drejtësia indiane i kërkonte në të gjithë botën për pastrim parash. Ata krijuar në vitin 2017 dy kompani ndërtimi “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate&Investment”, ndërsa dhjetor 2018 hynë në ortakëri me 50 % të aksioneve me Lul Morinën, në kompaninë “DRYMADES DREAM”, e cila mes aseteve ka edhe resortin e njohur “DRYMADES DREAM” në Dhërmi.
Dy vëllezërit blenë 50 % të aksioneve për 100 mijë euro. Tre muaj më pas, Lul Morina i merr sërish 50 % të aksioneve, përmes kompanisë ‘Rinia 04’, duke u dhënë dy vëllezërve indianë një apartament në Vlorë.
Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Lul Morina shfaqet në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin.
Transferoi mijëra euro në llogarinë e gruas së ish-ministrit Tahiri
Një hetim i nisur nga prokuroria e Posaçme për verifikimin e pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka çuar në ambientet e SPAK biznesmenin nga Fieri, Lulzim Morina.
Aa dhënë kohë më parë shpjegime për disa transaksione bankare me vlerë mbi 100 mijë euro, transferta këto që janë kryer gjatë vitit 2016-2017 tek llogaria e Fatlinda Tahirit, bashkëshortja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.
Gjatë marrjes në pyetje, burimet thanë se, Lulzim Morina, ka pranuar kryerjen e këtyre transaksioneve, duke pretenduar se shumat financiare janë dhënë në formën e borxhit.
Sipas tij, huaja është kthyer sërish mbrapsht dhe për këtë gjë ka premtuar se do i vendoste në dispozicion hetuesve të çështjes mandatet bankare.
Pas kësaj dëshmie të shkurtër, Morina është lënë i lirë të shkojë, por duke i mbajtur aparatin e telefonit. Bllokimi i është kryer me qëllim këqyrjen e bisedave dhe ekspertimit teknik të tij, ku shpresohet të gjendet biseda dhe materiale që i shërbejnë këtij hetimi. /Zahiri News