Krimi duket se ka shtrirë tentakulat kudo në qeverisjen e Edi Ramës. Ndonëse Edi Rama del dhe mburret se në vitin 2030 do hyjnë në BE, nga dita në ditë po dalin fakte se PS po qeveris në aleancë me bandat. Nga Veriu në Jug krimi po bën ligjin dhe kjo falë njerëzve të tyre të implikuar në ministri, bashki dhe drejtori.
Një gjë të tillë e vërtetoi edhe Prokuroria e Posaçme ditën e sotme, e cila zbardhi detaje nga aksioni në Elbasan, ku u godit banda e Suel Çelës. Mes 21 emrave të akuzuar janë dhe Marsel dhe Xhino Roka. Në fakt ata janë vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka.
Zonja në fjalë e ka marrë detyrën në fillimit të nëntorit të vitit 2023, duke zëvendësuar në këtë post Ledia Totën. Roka u katapultua nga juriste në kompaninë e biznesmenit Ilir Shtufit, personazhit të njohur për lidhjet me politikën dhe krimin, në drejtoreshë në AZHT.
Pyetja që shtrohet është: Kush ja rekomandoi Edi Ramës emërimin e motrës së dy kriminelëve të bandës së Suel Çelës?
Qartë kuptohet se cilët janë personat që ia kanë rekomanduar, Suel Çela me bandën e tij si dhe Ilir Shtufi me lidhjet me krimin dhe politikanët e korruptuar të rilindjes.
Në vitin 2017, kjo agjenci kaloi në varësi të vetë Kryeministrit dhe sipas VKM-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Pra zonja, është emëruar me firmën e kryeministrit. Ajo ka si detyrë të zbatojë vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, pra me pak fjalë është ajo që merret me lejet e ndërtimit. Dhe nuk është çudi që bandat po pastrojnë paratë përmes kullave dhe raporteve, pasi në një prej institucioneve kyçe është motra e dy personazheve të rëndësishëm të botës së krimit dhe ish juristja e Ilir Shtufit.