E gjithë skema që dikur i ka funksionuar sot nuk po i jep rezultat. Dhe këtë e tregoi vendimi i një dite më parë, kur një prej gjyqtarëve të Apelit të GJKKO-së vendosi t’a rikthejë ish-Kryeministrin te masa e sigurisë, atë masën që 1 vit më parë e shpërfillte, ndërsa nga e hëna e 6 janarit do të shkojë si ‘qingj’ para hetuesve, ndoshta thjesht e vetëm për të dhënë gjeneralitetet.
SPAK është kthyer në një tabelë qitjeje nga Sali Berisha. Në fakt jo i gjithë institucioni, por segmente të tij të zgjedhura me kujdes, jo në mënyrë rastësore.
Sali Berisha, ish-kryeministër, i marrë nën hetim nga SPAK për procedurat e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ vijon të aplikojë të njëjtat mënyra sulmi, sikundër ndër vite ka ndërmarrë ndaj kujdo që ka menduar se i është futur në rrugën e tij ose i ka menduar si njerëz që mund t’i ‘ngatërrohen’ nëpër këmbë.
E ka bërë me prokurorë, kundërshtarë politikë, ambasadorë, madje edhe me të vetët, ata që i ka pasur dhe i ka në parti, që herë i shpallur armiq, herë bashkëpunëtorë, herë i vendos epitete trimërie dhe herë i trajton si “delet e zeza”.
Një praktikë që e nisi që në 1991 dhe e vijon edhe në 2025. Në çdo kohë ka sulmuar me një synim të qartë: atje ku nuk do të mund t’i gjunjëzonte, të paktën do t’i stepte.
Së fundmi shënjestra e tij janë disa prokurorë dhe gjyqtarë në SPAK dhe GJKKO. Është Altin Dumani, Irena Gjoka, Arben Kraja, Enkelejda Millonai, që sipas rradhës i sulmon e akuzon, më pas i fut një etiketim SPAK-ut si SKAP dhe rikthehet sërisht te emrat e përveçëm, pa ndonjë rradhë apo rendi alfabetik.
Të njëjtën gjë ka bërë për vite me rradhë. Me përjashtim të Prokurorit të parë të Përgjithshëm që e emëroi vetë, Alush Dragoshin dhe deri diku edhe Adriatik Llallës, çdokush që është ulur në karrigen e kryeprokurorit ka qenë shënjestër e Berishës.
Kjo i ndodhi Arben Rakipit, më pas Theodhori Sollakut, edhe pse e kishte këshilltar gjatë kohës kur ishte President, edhe Ina Ramës, që e prezantoi si Silvia Kontin, e kështu me rradhë.
Tashmë në qendër të sulmeve janë Prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO-së. Janë ata që siç duket me apo pa short, me apo pa fat, i ka rënë ‘bixha’ të hetojnë Berishën, apo çështje të lidhura me të.
Ndaj dhe sot janë kthyer në tabelë qitjeje, njëlloj si kolegët e tyre ndër vite. Por nëse ata Berisha i sulmonte se flinin mbi ato që i quante ‘dosjet e korrupsionit’, këta të sotmit duket se i sulmon sepse nuk i ka zënë gjumi mbi dosjen e tij, duke qenë se edhe ajo që po hetohet dhe pritet të gjykohet ka të bëjë pikërisht me korrupsionin.
Nëse kthehemi pas në kohë, sulmet e Berishës që nga Rakipi në 1997 e me rradhë, duket se i krijuan komoditetin që asnjëherë të mos ishte në lupën e prokurorëve, edhe pse për muaj me rradhë në vitet e para të opozitës, pas rrëzimit nga pushteti 28 vjet më parë, iu hoq imuniteti si deputet.
Të njëjtën metodë po aplikon edhe sot, sulme, akuza, paralajmërime, etiketike, përbaltje, që edhe në rast se mund të ketë ndonjë të vërtetë në ato që artikulon ajo humbet nga moria e akuzave të pafundme që rendit. Dhe si për ti shtuar ato në vetë të 3-të, sot përdor atë që e konsideron ‘qytetarin digjital’, një ‘armë e re’ që dikur nuk e kishte aleat, sa herë që sulmonte brenda dhe jashtë gardhit politik.
Por duket se e gjithë skema që dikur i ka funksionuar sot nuk po i jep rezultat. Dhe këtë e tregoi vendimi i një dite më parë, kur një prej gjyqtarëve të Apelit të GJKKO-së vendosi t’a rikthejë ish-Kryeministrin te masa e sigurisë, atë masën që 1 vit më parë e shpërfillte, ndërsa nga e hëna e 6 janarit do të shkojë si ‘qingj’ para hetuesve, ndoshta thjesht e vetëm për të dhënë gjeneralitetet.
Dhe mosfunksionimi i skemës as më shumë e as më pak, pikë së pari duket se ka lidhje me moshën e tij biologjike, ose me faktin se po ecën në një territor që mendësia e tij nuk e pranon, dhe ndoshta as nuk e percepton.
Nëse dikur i sulmonte dhe më pas i kthente në aleatë, duket se shënjestrat e sotme të Berishës, kanë zgjedhur të bëjnë aleancë diku tjetër.