Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në lagjen “24 Maji” të Vlorës, ose siç njihet ndryshe në zonën e “Çoles”.
Mësohet se shënjestër e atentatit ka qenë Kevin Hajrulla, 30 vjeç, i cili ka qenë duke kaluar me automjet pranë një kryqëzimi, në momentin kur autorët kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi drejt tij duke e lënë të plagosur.
Mësohet se plumbat kanë kapur edhe 35-vjeçarin Armando Spahiu, i cili po shiste fruta-perime pranë vendit të ngjarjes.
Të dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, teksa mësohet se 30-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur një numër të lartë gëzhojash.
Burime bëjnë me dije se pas atentatit është gjetur duke u djegur një automjet në autostradën Levan-Vlorë, pranë fshatit Panaja, e cila dyshohet se iu përket autorëve.
Ndërkohë, atentai mafioz ka tronditur edhe qytetarët e Vlorës.
“Sa dëgjova një të shtënë u shtriva. S’pash asgjë. Unë isha duke parë televizor dhe në moment sa dëgjova krismat u shtriva barkas”, thotë një qytetar, i cili ka qenë jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme, makina tip “Benz” e shënjestrës Kevin Hajrulla, është bërë “shoshë” nga plumbat.
Sa i përket autorëve, nuk dihet asgjë. Automjeti i tyre u gjet duke u djegur pak minuta më vonë në autostradën Vlorë-Fier.
Policia ka rrethuar zonën, teksa ka ngritur edhe postblloqe në disa akse rrugore të qytetit bregdetar.