Teksa nisi qetë, nuk ka vijuar e tillë seanca e sotme e Kuvendit.
Pak pasi nisën fjalën ministrat, deputetët e opozitës të cilët ndodhen në sallë, i janë afruar foltores dhe nuk kanë lejuar që të vijohet fjala.
Në hollin e Kuvendit janë futur Jorida Tabaku, Albvana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Ferdinand Xhaferri
Menjëherë më pas ka ndërhyrë Grada, e cila është bërë “gardh” para foltores.
Ndërkohë momente tensioni ka edhe para Kuvendit, ku deputetët e përjashtuar të Partisë Demokratike kërkojnë të hyjnë në seancë por ndalohen nga garda.
“Hape! Hape! T’ju vijë turp! Ku jemi këtu në Kore të Veriut! E keni kthyer në diktaturë. Mos u përdorni nga Edi Rama”, tha Asllan Gjoni.
Flamur Noka tha në një prononcim për mediat se nuk i përjashton dot ‘narkosi’ por vetëm vota e qytetarëve.
Noka: Çdo kuvend ka mision, të përcjellë zërin e zgjedhësve dhe ne atë detyrë kemi. Na përjashton vetëm populli e vota, s’na përjashton dot askush pavarësisht dëshirave të narkos apo 5 mln eurove të doganave.
Deputetët e përjashtuar të PD-së, të cilët nuk u lejuan të futen brenda në Kuvend, janë ulur këmbëkryq në oborr.
Po ashtu deputetët kanë nxjerrë jashtë karriget e sallës së seancës plenare.
Ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me ta, ndërsa shihet se janë 4 karrige të kthyera përmbys.
Kujtojmë se në një nga seancat plenare, karriget janë djegur para godinës.