Miratimi është bërë vetëm me votat e PS, pasi këshilltarët e djathtë braktisën sallën.
Nuk kanë fund perlat e kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako. Përveç shumë dallavereve, kryebashkiakja socialiste ka vendosur t’i japë një pagë të majme vetes.
Në një mbledhje larg vëmendjes së mediave dhe teksa debati në Durrës është përqendruar te afera e mbetjeve toksike, Këshilli Bashkiak ka votuar një vendim për të rritur pagën e kryetares dhe stafit të saj.
Miratimi është bërë vetëm me votat e PS, pasi këshilltarët e djathtë braktisën sallën. Kanë qenë vetë ata që kanë hedhur akuza. Sipas tyre, Sako ka rritur pagën e saj me 57 për qind.
“57% rritja e pagës për kryetaren, pensionistëve i rritet me 4,1%, ndërsa ndihma ekonomike është rreth 2200 lekë në muaj, kjo nuk shkon. Këtë diskriminim nuk mund ta pranojmë“, u shpreh Dritan Burgija, Kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së.
Kreu i këshilltarëve demokratë kërkoi dhe reagimin e socialistëve kundër kthimit të mbetjeve toksike në Durrës pasi ato i dëmtojnë të gjithë popullatën, pavarësisht përkatësisë politike. Më pas në shenjë proteste këshilltarët e PD-së dhe Partisë së Lirisë u larguan nga salla. Pavarësisht kësaj këshilltarët socialistë dhe aleatët e tyre, miratuan rritjen e pagave për funksionarët e zgjedhur dhe të gjithë nëpunësit civilë. Rritja varion nga 57 % për kryetaren e bashkisë, deri në 7 % në varësi të pozicionit të punës. Rritje është miratuar dhe për shpërblimin mujor të këshilltarëve bashkiakë të Durrësit.
Nga 1 shtatori, ka hyrë në fuqi rritja e pagave për kryetarët e bashkive, nënkryetarët, drejtorët dhe punonjësit e tjerë të pushtetit vendor. Rritja e cila mbulohet nga buxheti i shtetit, varion nga 30-40 % për secilin pozicion.
Por si ndryshon niveli i pagave në bazë të numrit të popullsisë? Konkretisht, për Bashkinë Tiranë kufiri minmal i pagës së kryetarit është 268 mijë lekë/ muaj dhe ai maksimal 318 mijë lekë në muaj. Për nënkryetarët e kësaj bashkie, kufiri maksimal arrin në 270 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me mbi 200 mijë banorë, paga për kryetarin varion nga 255 mijë lekë deri në 290 mijë lekë në muaj, ndërsa për nënkryetarin arrin deri në 255 mijë lekë në muaj.
Për bashkitë me një numër popullësie nga 50 mijë deri në 200 mijë banorë, paga për kryetarin arrin deri në 260 mijë lekë në muaj dhe nënkryetarin 205 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me numër popullësie deri në 50 mijë banorë, paga maksimale prek nivelin e 240 mijë lekë në muaj për kryetarin dhe 185 mijë lekë për nënkryetarin.
Ndërsa sa i takon Këshillit të Qarkut, paga për kryetarin arrin në 260 mijë lekë në muaj dhe për nënkryetarin 205 mijë lekë/muaj.