Ditën e sotme, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka shkarkuar 12 drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Për shkak se dyshohet se janë përfshirë në afera kurruptive, kryebashkiaku socialist Erion Veliaj, ka bërë furtunë shkarkimesh.
Vendimi është marrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka ndryshuar drejtorët e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Policisë Bashkiake, të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, të Tirana Parking, të Kopshtit Zoologjik, Qytetit Studenti, si dhe disa prej qendrave sociale dhe muzeumet.
Drejtorët e Bashkisë së Tiranës janë përfolur shpesh për abuzime me paratë publike. Këto shkarkime, raportohet se vijnë nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK shpesh herë pas here bashkëpunon me qeverinë apo pushtetin lokal socialist, duke pritur shkarkimin më pas “kërcasin” prangat e arrestimeve.
Afera më skandaloze ka qenë ajo që njihet “Skema 5D”, që kishte në qendër një kompani të ngritur nga disa drejtorë të këtij institucioni që merrnin për vetë tenderat e Bashkisë. Në burg janë për këtë aferë ish-drejtorët Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, ndërsa 6 zyrtarë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Ndërkohë janë zbuluar emrat e rinj që zëvendësuan në poste 12 drejtorët.
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë do të drejtohet nga Elda Muçi, ndërsa Policia Bashkiake nga Toni Beni.
Në krye të Ndërmarrjes së Rrugëve dhe Ndriçimit është emëruar Piro Sinjari, kurse drejtimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit e ka marrë Blerta Dardha. Tirana Parking do të drejtohet nga Flavio Barçi, ndërsa Kopshti Zoologjik nga Ervis Rrahmani.
Gjithashtu, janë ndryshuar edhe drejtorët e dy qendrave sociale, që nga sot drejtohen nga Aldo Aga dhe Gentjana Lasku. Në drejtimin e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli” është emëruar Anisa Ymeri, kurse drejtor i Rezidencës Studentore në Qytetin Studenti do të jetë Renato Pashollari.
UKT – Elda Muçi
Policia Bashkiake – Toni Beni
DPN2 – Piro Sinjari
Tirana Parking – Flavio Barçi
Kopshti Zoologjik – Ervis Rrahmani
Shtëpia Studio “Kadare-Agolli” – Anisa Ymeri
RSU1 “Qyteti Studenti” – Renato Pashollari
AMK – Blerta Dardha
Qendra Komunitare Shkozë – Aldo Aga
Qendra Sociale “Strehëza” – Gentjana Laska
Ndryshimet kanë ardhur në kuadër të strukturimit te bashkisë së kryeqytetit dhe organizimit për zgjedhjet e 2025.