Duket sikur dy mikrofona modestë dhe disa zëra të sinqertë janë bërë shqetësim i madh. Në botën ku fjalët kanë çmim dhe shpirtrat janë mall i shitjes së përditshme, vendosmëria dhe guximi i aktivistëve të Lëvizja BASHKË duket se kanë zgjuar gjumashët e zakonshëm të salloneve të politikës dhe të tregjeve mediatike. Profilet anonime janë të kuptueshme, se për atë paguhen, por çudi këtë javë më bëjnë tre njerëz me emër e mbiemër.
I pari është “doktori” i vetëshpallur Dr. Endrit Shabani, i cili ka akuzuar Lëvizjen BASHKË për mungesë guximi dhe si lëvizje TikToku. Doktor Endri pretendon se ka paditur oligarkët, por padia e tij nuk është drejtuar kundër Samir Manes, një nga oligarkët më të njohur të Shqipërisë, por kundër zyrtarëve të Portit të Vlorës. Kjo tregon se guximi i vërtetë mungon kur vjen fjala për t’u përballur me oligarkët e fuqishëm, dhe në vend të kësaj, përballen me drejtues të mesëm të burokracisë. Pra, doktori po kërkon të na mbushë mendjen se gërvishtja e gjurit është më serioze se metastazat kanceroze që kanë kapur ekonominë shqiptare.
Doktor Endri e përmend fjalën ‘oligark’ si të ishte një aksesor mode për të shtuar bujë në deklaratat e tij. Por, kur vjen puna te emri i plotë i oligarkut, ja, del se doktorit i mungon guximi për ta përmendur. Ai përdor termin ‘oligark’ ose vetëm emrin ‘Zamir’ si një mburojë për t’i lënë hapësirë që të mohojë akuzat. Kjo është një taktikë e njohur, e përdorur edhe gjatë grevës së minatorëve në 2019-ën. Jo se doktor Endri nuk di të shkruajë emrin e saktë të Samirit, se për atë punë ka një mal shkollë ai, por i mungojnë këllqet.
Dhe ndërkohë që doktor Endri e bën këtë akrobaci fjalësh, ai gëzon hapësirën e gjerë të mediave si një aristokrat që shëtit ndër sallonet e mëdha të tyre. Ndërsa Lëvizja BASHKË, përveçse përballet me censurë të vazhdueshme dhe me bllokadë mediatike, aktivistët e saj janë rrahur nga rojet private të Samir Manes dhe janë burgosur disa herë nga policia e Edi Ramës, sepse aktivizmi për ne është mënyrë jetese, jo karrierë. Idesë që i besojmë, i shkojmë deri në fund, me çdo kosto.
Po ankohet doktor Endri se nuk e ftojnë për intervista personale! Po ç’dëshpërim i madh është ky, kur Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Lëvizjes BASHKË, me 545 vota më shumë se sa Endri, nuk ka parë ende një ftesë mediatike, ndërsa doktor Endri duket se i ka bërë studiot si shtëpinë e tij, vetëm dje ishte tre herë në media.
Doktor Endri duket se nuk e ka kuptuar mirë konceptin e oligarkisë. Oligarkia është një sistem ku të paktët e pasur kontrollojnë pushtetin përmes ligjit dhe marrëveshjeve me qeverinë, ndërsa kleptokracia është sistemi i hajdutëve që përvetësojnë pasuritë publike me vjedhje. Ky konfuzion konceptual tregon një mungesë të thellë të dijes politike dhe është e qartë se doktor Endri duhet të lexojë më shumë për këto terma dhe për mënyrën se si funksionojnë në praktikë. Leksione “klepsjeje” mund t’i japë paraardhësi i tij, Bes Pesha.
Kritikat për aktivizmin në TikTok e YouTube nuk vlejnë një lek kur vijnë nga një njeri që e ka bërë si shtëpinë e tij kanalin EuroNews Albania, që drejtohet nga Redi Molla, i cili nga burgu vendos se kush do të ftohet e kush jo. Për herë të fundit, dikush nga Lëvizja BASHKË ka qenë aty më 1 maj, para skandalit të 5D. Mos të dëshpërohet doktor Endri se nuk e ndjek njeri, sepse edhe këto zgjedhje mund të dyfishohet, nga dy njerëz të bëhen katër, siç nga një u bënë dy në zgjedhjet e kaluara.
E pastaj vjen Taulant Muka, shkencëtari, i cili, me mendjen e tij të shquar, ka bërë një akuzë për “shitje” të Arlind Qorit te rektori Artan Hoxha dhe Edi Rama, por ka harruar se historia e tij e shitjes fillon shumë më herët, kur ai vetë pranoi një karrige të butë të zv/ministrit nën hijen e Ramës (këtë e shpjegon Frojdi).
Së pari, Arlind Qori ka qenë i vetmi pedagog i Universitetit të Tiranës që ka mbajtur qëndrim publik dhe të qartë për çështjen e plagjiaturës së rektorit Artan Hoxha. Ky qëndrim është bërë publik në mënyrë të përsëritur, jo vetëm në podcast-in tonë modest, i cili është një nga vendet e pakta ku kemi mundësi të shprehemi, por edhe në mediat që na kanë dhënë hapësirë të kufizuar. Ndërsa Taulant shkencëtari përqendrohet te “procedurat e Këshillit të Etikës”, ai harron se ky Këshill është i emëruar nga vetë personi që duhet hetuar – Artan Hoxha. Nëse duam të luftojmë plagjiaturën dhe korrupsionin akademik, nuk mund të mbështetemi në struktura të korruptuara nga brenda. Kjo është llomotitje që nuk zgjidh asgjë, përveçse të mundëson të dalësh në televizor dy herë më shumë dhe të mos kesh asnjë kosto mbi kurriz. Artan Hoxha është më i frikshëm se Samir Mane, thoshin doktori dhe shkencëtari në një tavolinë të Ora News-it. Hajde, gjeje kush është më qesharak.
Në kontrast, as doktor Endri dhe as Taulant shkencëtari nuk kanë treguar ndonjëherë guximin për të mbajtur qëndrim ndaj punëdhënësve të tyre dhe për të kritikuar publikisht. Përkulja e tyre prej bujkërobi flet shumë për integritetin e tyre dhe përpjekjet e kufizuara për vëmendje.
Taulant shkencëtari u shit në vitin 2018, kur pranoi postin e zëvendësministrit të Edi Ramës, duke treguar sëmundjen e tij malinje për pak famë e pushtet. Apo me një herë nuk quhet?!
Dhe tani kalojmë te Elsa Demo. Njerëz si Elsa janë një lloj i veçantë: as nuk na njohin, as i njohim, por ja që gjejnë kohë për të na goditur. Shkrimi i saj dukej sikur e kishte porositur Xeni(Shkëlzen Berisha) dhe e kishte kuruar Alfred Lela, këshilltari i familjes Berisha.
Zonja Elsa, ndoshta nuk ju ka rënë në vesh zëri i Arlind Qorit. Arlindi, ndryshe nga shumë të tjerë, ka folur për të gjithë: për punëtorët e krahut dhe për ata të mendjes. Por ndoshta juve nuk ju intereson kjo. Ndoshta, në mesin e ironi-tregtarëve, të tilla realitete janë të pakuptimta. Ndoshta keni humbur ndonjë episod të podcast-it ku ne denoncojmë realitetet e tmerrshme të shfrytëzimit. Ose, ndoshta, zhurma e kotësisë suaj ju ka penguar të dëgjoni.
Ah, ironi! Kur të përdor për të zbuluar të vërtetën, je fisnike. Por kur shërben për interesa të ngushta dhe për shpirtin e lig, bëhesh thjesht një vegël. Dhe ja ku jemi: disa luftojnë për të drejtat e punëtorëve, të tjerë, thjesht bëjnë ironi me ta.
* ndjesë, unë nuk kam as 1 të 1000 e shkollimit të personazheve të tekstit, por i përbuz dhe neveris ata që lehin për një kockë dhe kanë vendosur ta kthejnë fytyrën në zorrë të trashë, nga Kristjan Zoto