Fshehja e pasurive nga Agolli
Shpërthimi i skandalit në media do të sillte vëmendjen te profili i Dritan Agollit dhe personave të lidhur me të. Agolli ka punuar më parë si drejtor urbanistike në Bashkinë e Tiranës dhe më pas është shkëputur nga administrata publike duke u angazhuar në fushën e biznesit. Duhet theksuar se gjatë kohës që ka qenë në Bashkinë e Tiranës, Agolli vazhdimisht ka qenë nën akuzë nga Partia Demokratike, e cila gjatë kohës që ka qeverisur e ka kallëzuar në Prokurori. Por për Agollin nuk ka patur asnjë akuzë nga Prokuroria dhe gjithmonë ka dalë i pastër, deri në momentin që SPAK do ta vendoste nën lupë për hetimin e pasurisë dhe skandalin e menusë për 100 Fshatrat.
Por si nisi rrugëtimi i Dritan Agollit në krye të FSHZH-së?
Në shkurt 2019, Agolli do të emërohej Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit nga Këshilli Drejtues me mandat 5-vjeçar duke zëvendësuar Benet Becin dhe në janar 2024 Këshilli Drejtues do ta rikonfirmonte në detyrë për një mandat të dytë.
Ashtu si shumë zyrtarë të tjerë të lartë, Agolli do të bënte deklarimin e pasurisë, e cila përfshin një listë të gjatë detyrimesh sipas legjislacionit aktual.
Në formularin e dorëzuar në Inspektoriatin e Lartë e Deklarimit të Pasurisë (ILDKPKI), Agolli do të deklaronte kompanitë “Mangus Opus Group”, aksionet nga kompania “Ardex Consulting” të cilën e kishte në pronësi me bashkëshorten. Ligji nuk e ndalon Agollin të zotërojë një kompani, por ligji e detyron që të deklarojë çdo veprimtari ekonomike fitimprurëse ose jo, të cilat aktualisht lidhen me kompanitë në fjalë.
Në mënyrë të habitshme, në vitin 2020, Agolli nuk do të deklaronte të ardhurat nga kompania “Mangum Opus Group” dhe nuk do të deklaronte në formularin e ILDKPKI-së se ishte akoma aksioner te kjo kompani.
Sipas avokates Brikena Demiraj, çdo zyrtar i lartë duhet të deklarojë aksionet, të ardhurat ose kompaninë që zotëron në formularin e ILDKPKI-së.
“Në rast se nuk bëhet ky deklarim, ka penalitete si largim nga puna ose ndjekje penale sipas udhëzimeve nga legjislacioni aktual”,
Agolli rezulton aksioner i kompanisë “Magnum Opus Group” dhe nuk ka bërë kalimin pasiv të aksioneve drejt një personi të tretë. Kjo procedurë realizohet nga zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat etj për të shmangur konfliktin e interesit me detyrën, duke e rimarrë kompaninë pas mbarimit të detyrës në administratën publike. Nga informacionet e “Vetting” rezulton se Agolli ka përfituar drejtpërdrejt fonde nëpërmjet kësaj kompanie dhe një rrjeti kompanish të lidhura me atë dhe familjarët e tij, e cila hedh dyshime të forta se këto veprime janë në kundërshtim me ligjin.
Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, një zyrtar i lartë nuk mund të përfitojë fonde publike gjatë kohës që është me detyrë në administratën publike.
Por sipas “Spending.al”, databazë e organizatës AIS ajo që ngre dyshime për shkelje të ligjit nga Agolli është fakti se kompania “Magnum Opus Group” sh.p.k gjatë periudhës 2020 – 2021 ka përfituar 2.1 milionë lekë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nën drejtimin e Blendi Klosit për hartimin e projektit “Plani Kombëtar i Menaxhimit të Sigurt të Kimikateve për 2020 – 2030”, në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze të Kimikateve.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në vitin 2023, nëpërmjet kompanisë së vet “Magnus Opus Group” i ka dhënë një hua prej 17,3 milionë lekësh ose 173 mijë euro djalit të vet Flladi Agolli te kompania që ky i fundit ka në zotërim “HMS” shpk. Në këtë rast, kjo hua në lekë nuk rezulton e deklaruar as nga Agolli dhe as nga djali i vet në formularin e ILDKPKI-së për vitin 2023.
Në vitin 2020, Dritan dhe Rovena Agolli do t’i kalonin aksionet e kompanisë “Ardex” ish “Ardex-Consulting” djalit të vet Flladi Agolli me të drejta të plota. Nëpërmjet numrit të kontaktit që ka vendosur te kompania “Ardex” ish “Ardex-Consulting” rezulton se Flladi Agolli ka nxjerrë në shitje një makinë luksi “Porsche Cayene” me vlerë 40 mijë euro. Por në formularët e deklarimit të pasurisë shitja apo blerja e kësaj makine nuk rezulton gjëkundi.
Por skandali me menunë e 100 fshatrave do të ishte vetëm sipari pasi emri i Flladi Agollit do të përfundonte përsëri në media. Kësaj radhe emri i tij do të lidhej me skandalin e Start Up-eve, ku opozita do të akuzonte qeverinë shqiptare se shumë nga kompanitë përfituese rezultonin të lidhura me zyrtarë të lartë.
Në vitin 2022, Këshilli i Ministrave propozoi një ligj që do të hartonte kushtet e favorshme për krijimin e zhvillimin e startup-eve dhe mbështetjen e tyre, për nxitjen realizimit të ideve të reja, që sjellin risi në çdo fushë për zhvillimin ekonomik.
Në një vendim “Për Miratimin e Dhënies së Granteve për Startup-et dhe Lehtësuesit e Startup-eve”, në korrik të vitit 2022 me vendim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj u dhanë subvencione për kompani të ndryshme. Njëra ndër kompanitë, është ajo e djalit të Dritan Agolllit, pronarit që zotëron 100% të aksioneve të “HMS” shpk Flladi Agolli. Qeveria duket se i dha kompanisë 4,58 milionë lekë, por në këtë rast kemi konflikt të mundshëm interesi. Asokohe ish ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali do të mohonte akuzat se është abuzuar me fondet për start-upet, se këto fonde shkuan te persona pranë mazhorancës, pa meritokraci.
Sipas ligjit nr.10 130, datë 11.5.2009 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Drejtori Ekzekutiv emërohet ose shkarkohet me vendim të Këshillit Drejtues. Kryetari i Këshillit Drejtues është zv.kryeministri dhe kjo vendos në pikëpyetje procesin për konflikte të mundshme interesi. / Vetting