Kontrolli i Lartë i Shteti ka faktuar se si Ministria e Turizmit, pushteti vendor dhe organet e tjera përgjegjëse, kanë favorizuar privatin lidhur me hapësirat publike.
Sapo vjen vera, plazhet zaptohen nga shezlongë dhe çadra, ndërkohë që janë zhdukur plazhet private. KLSH ka zbuluar manovrat e autoriteteve, duke favorizuar privatin.
“Ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar si plazh privat/publik, për periudhën 2023-2024 bëhet proporcionalisht, sipas raportit 70%/30% dhe në mënyrë perpendikulare me vijën bregdetare. Hapësira e çdo plazhi (publik ose privat) kufizohet me vijën bregdetare. Raporti 70% privat dhe 30% publik nuk garanton vërtetësi në terren, pasi ai nuk aplikohet për çdo zonë plazhi por në një territor të përgjithshëm. Për rrjedhojë hapësira e plazhit që duhet ti dedikohet publikut pa pagesë nuk është trajtuar me përparësi. Nga vëzhgimet në terren rezulton se hapësira që i rezervohet publikut, shpesh herë nuk është e përshtatshme dhe e aksesueshme për qytetarët. Vendndodhja e tyre shpesh herë është në afërsi të derdhjes së ujërave të zeza, në territor me papastërti, apo distancë nga zonat historike të plazheve. Në disa raste hapësira publike rezulton e zënë nga banorë të zonës me shezlong e çadra stacionare të mbyllura me zinxhir dhe dryna të cilat kanë shkaktuar cenim të së drejtës së shfrytëzimit të këtyre hapësirave nga pushuesit e tjerë rastësorë, si në rastin përgjatë vijës bregdetare Durrës dhe Kavajë”, theksohet në raport.
Nga një anë rezultojnë hapësira për publikun në masën 30%, në disa raste në zona aspak të përshtatshme, por nga ana tjetër gjatë periudhës që është audituar, ka rritje të sipërfaqes së kontraktuar nga subjekte private.
Sikundër vihet re sipërfaqja e kontraktuar nga subjekte privatë për të ushtruar veprimtarinë stacion plazhi, për periudhën 2022-2024 paraqet një tendencë rritje të lartë.
Nga krahasimi i sipërfaqes në vitin 2024 kundrejt vitit 2022 rezultojnë rritje të larta:
– në Bashkinë Lezhë nga 20.969 m2 në 74.106 m2 ose rritur në masën 253%
– në Bashkinë Shkodër nga 19.439 m2 në 64.274 m2 ose rritur në masën 231%
– në Bashkinë Himarë nga 28.387 m2 në 84.401 m2 ose rritur në masën 197%
duke vijuar me Bashkinë Vlorë ku rritja është në masën 158%, Bashkia Sarandë në masën 143% dhe Bashkia Durrës ka rritje në sipërfaqen e kontraktuar në masën më të ulët prej 45%.
Në total për 6 bashkitë gjatë vitit 2022 është kontraktuar sipërfaqja prej 239.221 m2 e cila në vitin 2024 rritet në 554.738 m2 ose në përqindje në masën 132%.
Në përfundim, në vitin 2024 kundrejt vitit 2022, në total për të gjitha bashkitë subjekt auditimi, rezulton tendencë në rritje e numrit të subjekteve përfitues, numrit të shezlongëve dhe sipërfaqeve të kontraktuara në total për bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Himarë.
“Të dhënat mbi të ardhurat për secilën bashki nga raportet e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit nuk përkojnë me të dhënat e raportuara nga vetë bashkitë. Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk disponojnë të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbi aktivitetin e subjekteve privatë të cilëve iu jepen në përdorim si stacion plazhi, hapësirat publike në plazhe. Mungesa e të dhënave që lidhen me të ardhurat e realizuara, aktivitetin e subjekteve privatë që përfitojnë hapësira publike në plazhe, etj cenon menaxhimin me efektivitet të plazheve dhe mund të çojë në vendimmarrje të gabuara”, thekson KLSH.
