Sulmet e përditshme ndaj prokurorit Ols Dado po bëhen për arsye “shumë të llogjikshme”! E mbani mend muajin Maj? Kur Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, dilte në skenë, para SPAK-ut e jo vetëm, e na tregonte sa profesionistë, të ndershëm dhe të pavarur ishin hetuesit e prokurorët që e pyetën? Madje, u bë koleg me ata dhe mbështetësi i madh i tyre:
“…Mos t’i përgojojmë, mos të bëjmë rolin e prokurorit e gjyqtarit, se është një institucion serioz dhe për së mbari, një investim i rëndësishëm për Shqipërinë”, – thoshte ai, duke nëkuptuar fjalorin e Metës dhe Berishës që “shanin” prokurorin Altin Dumani.
Por, si me magji, sapo u arrestua, Veliaj pati një “moment reflektimi nga qelia” dhe papritmas prokurorët nuk qenkëshin më profesionistë e të ndershëm! Kush do ta kishte menduar?! Nga një njeri që shante Metën dhe Berishën, u kthye në një kopje të vogël e të shëmtuar të tyre. Po çfarë i ndodhi Erionit? A mos ndoshta e zuri dielli shumë gjatë duke promovuar vetveten?!
Dhe, siç ndodh në çdo skenar të mirë menduar, Veliaj sulmon Ols Dadon! Jo Altin Dumanin, që është po aq pjesë e dosjes, por Dadon. Epo, kjo ka kuptim, apo jo? Dumani ka “njohjet e duhura” ose, akoma më keq për Veliajn, ai ka besimin e publikut. Dhe Veliaj e di shumë mirë që të sulmosh Dumanin është si të hapësh gropën për veten, gjë që ai zakonisht ia lë të tjerëve ta bëjnë për të.
Dhe me çfarë justifikimi po sulmon Dadon? Ah, sepse Dado kishte kërkuar një leje ndërtimi, të cilën Bashkia (pra, Veliaj vetë) ia kishte miratuar, sepse plotësonte kriteret. Por tani, ky qenka “faji i madh” i Dados! Me logjikën brilante të Veliajt, prokurorët duhet të ndjekin “rregullat e vjetra”: merr një leje ndërtimi, bëhu borxhli, dhe pastaj mos guxo të ngresh akuza kundër kryebashkiakut tënd të dashur! Se ndryshe, ja ku vjen hakmarrja politike me “rregullat e reja rilindase”!
Për ta bërë edhe më interesante, Veliaj ka nisur një fushatë për të bindur militantët e tij se ai nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore dhe se sulmi i Dados ndaj tij, është thjesht “personal”. Po sigurisht! Pse të merremi me faktet, kur mund të bëjmë një spektakël propagandistik, duke sulmuar prokurorin dhe shpresuar që askush të mos shohë provat?!
Por ja pyetja e madhe: përse Veliaj nuk merret me Dumanin, që është po aq prokuror sa Dado? Ah, sepse e di që asnjëri prej tyre nuk ka vendosur masën e sigurimit, por Gjykata. Po ç’rëndësi ka kjo? Kur mund të shpikësh një fabul të bukur për të hutuar publikun!
Dhe sa qesharake është të sulmosh Dadon për faktin që dikur donte të bëhej violinist apo ka qenë noter?! Veliaj, po ti? Mos vallë ke harruar që dikur shisje fiq dhe bëje propagandë me G99? Apo ajo diploma e universitetit tënd ende ka mbetur mister për publikun?
Dhe, sa për kujtesë, në kohët e “zeza” të reformës së vjetër, prokurorët e përgjithshëm emëronin shokët e tyre, siç ndodhi me Ina Ramën dhe Ols Dadon. Por Veliaj, si një kampion i reformës së re, bëri të njëjtën gjë kur e bëri Naureda Llagamin anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor e kryetare të këtij këshilli! E tani, do ta “zgjedh” edhe si anëtare të Gjykatës Kushtetuese! Ah, po, Veliajt i lejohet gjithçka, ndërsa të tjerët janë të korruptuar, apo jo?
Në fund të fundit, ndoshta më mirë do të ishte që Veliaj të mblidhte ndonjë provë për të provuar pafajësinë e tij (edhe pse e dimë që kjo është goxha e vështirë), në vend që të harxhonte frymën duke sulmuar vetëm një prokuror. Sepse, siç thuhet, faktet janë kokëforta dhe, më herët apo më vonë, edhe propaganda më e sofistikuar nuk do të mund t’i mbulojë më. /Flamur Vezaj