Në këto kohë të paqarta për liderët e të gjithë botës, halli i Edi Ramës ka qenë të mos identifikohet në asnjë mënyrë si investim i Xhorxh Sorosit në politikë, pasi filantropi hungarez është shpallur një ndër armiqtë më të mëdhenj të administratës së re të Donald Trump në SHBA. Prandaj disa ditë më parë ra në sy se Rama kishte fshirë të gjitha fotot që kishte me Aleks Soros në profilin e tij në Instagram gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.
Kapërcimi nga prehri i Soros, aty ku Rama është përkundur për vite me radhë është një lëvizje tipike e Ramës që nuk udhëhiqet nga asnjë kredo apo ideologji, mjafton të qëndrojë në pushtet. Por ky veprim ka habitur Aleks Sorosin, i cili deri dje e thërriste kryeministrin e Shqipërisë thjesht si “vëllaçko”.
Prandaj, kur ka mësuar për hallin e Ramës, që kohët e fundit ka përqafuar idetë e MAGA dhe po e quan Donald Trump një bekim për Europën, Soros ka vendosur të “hakmerret” dhe të rikthejë në profilin e tij një nga fotot e vjetra, duke shkruar “Rikthim pas kërkesave të shumta”shoqëruar me një ndërlidhje të adresës së Ramës në Instagram.

Ironia është e qartë, por ndërsa Soros bën humor, veprimet e Ramës tregojnë se ai e ka marrë seriozisht erën e re që ka nisur të fryjë në të gjithë Europën.
Pas rikthimit të dytë të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Edi Rama ka ndryshuar menjëherë retorikën. Në disa panele ndërkombëtare, ai ka folur si një ithtar i ideve të trampiste, duke e quajtur politikën e re amerikane një bekim për Europën dhe duke përsëritur mesazhin se Zoti e shpëtoi nga vdekja presidentin e SHBA për një arsye të veçantë.