Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, u pa hapur se si qëndron problemi ndërmjet Edi Ramës dhe SPAK.
Kur kryeministri, në rolin e shefit të mazhorancës paralajmëroi me arrogancë SPAK-un se nuk duhet t’i afrohen telefonit të tij, u duk qartë se ishte më shumë se një paralajmërim.
Pasi duket se përbënte një indice apo frikë se Prokuroria e Posaçme do të mbërrinte edhe në zyrën e tij. Kur nga ana tjetër ka pasur zëra se kanë shkuar oficerë të BKH-së në kryeministri, por që janë përzënë.
Ndërkaq, në lidhje me pozicionin që Edi Rama ka marrë, duke u paraqitur si mbrojtës i Kryebashkiakut Erion Veliaj, e gjithë kjo skenë duket më tepër teatrale sesa e vërtetë.
Dihet tashmë, që nëse Kryeministri i Erion Veliajt do të ishte Sali Berisha, ato dy zyrtarët e BKH-së do ishin marrë në shkelma, e doktori do të shpallte grup puçist tërë prokurorët.
Keq apo mirë, Berisha ka dalë hapur në mbrojtje të njerëzve të tij. Ndërsa Edi Rama, e ka lënë Lalin që prej një viti nën mëshirën e sulmit të egër nga e majta dhe e djathta, me tërë fuqinë e arsenalit të municioneve.
Që prej vitit të shkuar, ka anuluar një sërë vendimesh të bashkisë, në kuadër të KKT-së, ku kanë firmosur së bashku me Belinda Ballukun. Më pas, prej dy muajsh tashmë, i hoqi pak nga pak tërë fuqinë politike të Tiranës, duke e lënë pa asnjë post politik drejtues. Madje dje shpalli se do të jetë ai kreu i qarkut të Tiranës.
Duke marrë edhe në dorë de fakto drejtimin politik dhe administrativ të bashkisë së kryeqytetit.
Nëse Edi Rama kishte dëshirë të mbronte Erion Veliajn, do të duhej që mbrojtjen ta bënte që kur nisi linçimi ndaj tij, duke hetuar dhe bllokuar të gjithë arsenalin toksik që vinte ndaj mazhorancës.
Nëse Edi Rama do të donte të mbronte Erion Veliajn, nuk do ta zhveshte nga rolet politike, edhe pse kishte indicie se ishte nën hetim. Pasi Veliaj, nuk është ministër por kryetar i bashkisë më të madhe në vend, e që konsiderohet aseti më i rëndësishëm pas tij, në politikën e mazhorancës.
Cedimi ndaj Veliajt, është perceptuar që në fillim një lëshim i Ramës, siç ka ndodhur deri më sot edhe me të tjerët. Nëse Rama do të donte ta mbronte Erion Veliajn, do të duhej që të mos merrte vetë drejtimin e bashkisë të Tiranës, por t’ia linte Lalit, edhe nga qelia. Madje edhe të drejtën e firmës, që sipas procedurave ligjore do të kishte mundësi ta ushtronte. Duke i dhënë kështu Veliajt fuqinë politike të votës së tij, por edhe të mazhorancës, deri në vendimin e gjykatës mbi fatin e kryebashkiakut. Së paku deri më 11 maj.
Por fakt është se Edi Rama, që pas zgjedhjeve të vitit 2021 e sidomos atyre të 2023, ku Erion Veliaj rezultoi se është një buldozer elektoral i tmerrshëm, Babloku u bë xheloz.
Ndaj që atëherë nisi t’i sabotojë rrugën dhe t’i zvogëlojë pushtetin. Menjëherë pas zgjedhjeve, kur Veliaj, me arsye si drejtues politik ka promovuar veten për suksesin politik me mbi 60 mijë vota në Tiranë.
Pikërisht pas këtij promovimi kanë nisur telashet për Veliajt, deri në denoncimin e Nesti Angonit, i cili nuk është gjë tjetër veçse klane që nuk e kanë dashur avancimin politik të Lalit.
Marrja e Bashkisë së Tiranës nga Edi Rama që prej ditës së djeshme e ka kthyer totalisht në sulltanat sistemin politik, duke i bërë të ditur klientëve të shumtë të biznesit, se njeriu që duhet t’i falen tashmë është vetë Babloku.
Për të analizuar një ngjarje, duhet në fillim të gjendet se kush përfiton nga ajo.
Me arrestimin e Veliajt, ka humbur apo ka fituar Edi Rama? Deri tani po shihet se Babloku nuk ka deleguar pushtet, por ka komanduar veten. Zgjedhjet e 11 majit do të tregojnë realisht se sa kjo është e saktë. Nëse Rama arrin ta fitojë këtë betejë, pra zgjedhjet në Tiranë, del se objektivi i tij është i qartë të eliminojë “Mehmet Shehun” e vitit 2025./Pamfleti