Artan Hoxha në një status në rrjetin e tij Facebook ka rikujtuar edhe njëherë OFL-në e famshme ku do sekuestroheshin pasuritë e organizatave kriminale dhe në fund rezultoi të ishte asgje më shumë se një flluckë sapuni, më tej gazetari shkruan:
U mbushën fiks pesë vite nga nisja e operacionit OFL (Operacioni Forca e Ligjit). Një operacion makjazhi dhe propagande, që synonte të shkëpuste kryeministrin dhe qeverinë e tij, në prag të zgjedhjeve për mandatin e tretë, nga akuzat për lidhje dhe bashkëpunim me krimin e organizuar.
Operacioni nisi një vit para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, më 3 shkurt 2020, me objektivin zyrtar;
“Të godiste dhe të çonte në sekuestrimin e pronave dhe aseteve të organizatave kriminale”.
Në fakt rezultoi e kundërta, ashtu si e kam parashikuar në këtë status, në ditën e parë të nisjes së tij.
OFL-ja, jo vetëm nuk goditi asetet e krimit të organizuar dhe nuk realizoi dot ndarjen e tij nga bashkëpunimi me qeverinë, por legalizoi dhe çertifikoi me vendime gjykatash, pasurinë e organizatave kriminale.
Për më tepër, OFL shërbeu si një mjet presioni ndaj organizatave më të medha kriminale në vend, të cilat u rreshtuan krah kandidatëve të qeverisë në zgjedhje ose i mbështetën ata me financime direkte dhe me grupe të armatosura që ushtronin presion ndaj kundërshtarit në terren.
Kryeministri e propagandoi me zhurmë e bujë nisjen e operacionit, por nuk e bëri kurrë bilancin e tij, sepse në fakt fitoi mandatin e tretë dhe nuk i interesonte më.
OFL-ja dhe bjondja me syze dielli, që publikonin çdo ditë formularë deklarimi, të cilët u dorëzoheshin tek dera e shtëpisë bosëve te krimit, nuk patën kurrë një bilanc, se sa asete të krimit u konfiskuan?
Cilës organizate kriminale iu konfiskuan këto asete dhe ku gjendeshin ato?
Në fund publiku pa se si SPAK dhe GJKKO, çertifikuan me vendime gjyqësore asetet dhe pronat e krimit të organizuar.
Se si organizatat kriminale më të mëdha në vend(me ndonjë përjashtim të vogël)mbajtën anën e kandidatëve të qeverisë duke i mbështetur deri dhe publikisht ata.
Rastet e Shkodrës, Lezhës, Fushë Krujës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Vlorës etj, e dëshmuan qartazi se nga anoi dhe për kë punoi krimi i organizuar.
Për ironi të fatit, OFL nisi tek kompleksi luksoz Golden, pronë e të kërkuarit Altin Hajri, te katër rrugët e Shijakut.
Dosja Çyrbja dëshmoi qartë se për kë punoi Altin Hajri në zgjedhjet e prillit 2021 edhe pse ishte në kërkim dhe vazhdon të jetë në kërkim kur kanë plotë 5 vite.
Por hetimet speciale nga ana tjetër, “thyen” në mes, me dorë të hekurt, autokombanjën e kohës së komunizmit të Bektash Shtëpënjës në fshatin Kozarë të Kuçovës dhe sollën në derën e GJKKO-së, plotë 240 fshatarë në cilësinë e dëshmitarit.
Sot pas pesë vitesh, askush nuk u kujtua për Operacionin propagandistik Forca e Ligjit, madje as për policen bjonde, e cila mbante syze dielli në palcën e dimrit.
Ata e realizuan detyrën. I dhanë mandatin e tretë rregjisorit dhe skenaristit të serialit, me bosë të krimit dhe police bjonde.